EKONOMI & MJEDIS /

Çmimet nuk janë aq të lira sa thuhet zyrtarisht!

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor bazë për janarin u rrit në 3.09%, nga 3.03% që kishte qenë në dhjetor 2025 dhe 2.36% që kishte qenë në janar 2025. Në këto nivele, inflacioni bazë konfirmohet pranë niveleve më të larta të dy viteve të fundit.

Shkruar nga Versus

Çmimet nuk janë aq të lira sa thuhet zyrtarisht!

Inflacioni bazë e ka nisur në rritje edhe vitin 2026. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor bazë për janarin u rrit në 3.09%, nga 3.03% që kishte qenë në dhjetor 2025 dhe 2.36% që kishte qenë në janar 2025. Në këto nivele, inflacioni bazë konfirmohet pranë niveleve më të larta të dy viteve të fundit.

Rritja e inflacionit bazë reflekton një tendencë të rritjes së çmimeve të mallrave të qëndrueshëm dhe sidomos të shërbimeve të prodhuara nga ekonomia e brendshme.

Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja e qirasë përbën burimin kryesor të presioneve të brendshme inflacioniste dhe faktorin më përcaktues që ka sjellë rritjen e inflacionit bazë.

Megjithatë, rritja e disa prej çmimeve të shërbimeve të lidhura me turizmin është balancuar nga rënia e çmimeve të disa mallrave që janë pjesë e shportës së inflacionit bazë.

Nënshporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.6% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton ato produkte që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, si produktet ushqimore dhe energjetike. Llogaritja e inflacionit bazë ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga lëvizjet me natyrë më afatshkurtër. Inflacioni bazë është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto e nisi vitin 2026 në rritje. Për janarin, ky tregues u rrit në 3.59%, nga 3.47% që ishte në dhjetor 2025 dhe 2.21% që kishte qenë një vit më parë. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike në janar 2026 ishte në nivelin 3.44%, nga 3.32% që ishte në dhjetor dhe 2.09% që kishte qenë një vit më parë.

Inflacioni zyrtar në Shqipëri, i matur për të gjithë shportën e mallrave të konsumit, për janarin ishte në nivelin 2.3%, po aq sa e mbylli edhe vitin 2025. Rritja më e kufizuar e inflacionit i detyrohet kryesisht nivelit të ulët të inflacionit të importuar.

Raporti i fundit i politikës monetare i Bankës së Shqipërisë, i dhjetorit 2025, parashikonte që inflacioni të kthehet në objektivin prej 3%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Ndërkohë, raporti i politikës monetare për tremujorin e parë 2026 nuk është miratuar ende, për shkak të bllokimit të punës së Këshillit Mbikëqyrës, nga përfundimi i mandatit të shumicës së anëtarëve të tij.

Pritet që mbledhja e radhës të zhvillohet në muajin mars, pas zgjedhjes këtë muaj të katër anëtarëve të rinj nga Kuvendi i Shqipërisë.

Raporti i radhës pritet të sjellë parashikime të përditësuara lidhur me inflacionin, por  presionet inflacioniste më afatgjata duket se vazhdojnë të jenë të larta./ Monitor

Tags:

inflacioni

Poll