EKONOMI & MJEDIS /

Ministrja e Ekonomisë: Çmimi i karburanteve mbi 200 lekë/litër brenda normales, nuk ka rritje të madhe nga kriza në Lindjen e Mesme

Në një konferencë për mediat së bashku me kryeministrin Edi Rama, ajo theksoi se qeveria po ndjek në mënyrë të përditshme ecurinë e çmimeve, si në zhdoganim ashtu edhe në tregun e shitjes me pakicë.

Shkruar nga Versus
Ministrja e Ekonomisë: Çmimi i karburanteve mbi 200
Delina Ibrahimaj

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi këtë të mërkurë se çmimi i karburanteve në Shqipëri, pak mbi 200 lekë për litër, konsiderohet brenda normales dhe nuk ka pësuar rritje të ndjeshme si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Në një konferencë për mediat së bashku me kryeministrin Edi Rama, ajo theksoi se qeveria po ndjek në mënyrë të përditshme ecurinë e çmimeve, si në zhdoganim ashtu edhe në tregun e shitjes me pakicë.

Sipas saj, bursat ndërkombëtare kanë shënuar luhatje të forta që nga muaji shkurt, me çmime që kanë variuar nga rreth 700 dollarë deri në 1200 dollarë në ditët e pikut. Megjithatë, në Shqipëri rritja ka qenë më e moderuar, në nivelet 10-15%.

Ibrahimaj u shpreh se aktualisht nuk shihet e nevojshme rikthimi i Bordit të Karburanteve, por paralajmëroi se nëse do të konstatohen luhatje të forta apo abuzime me marzhet e fitimit, ky mekanizëm mund të riaktivizohet.

Ajo bëri me dije se është ngritur një ekip i përbashkët nga tre ministri dhe agjenci shtetërore, i cili monitoron çmimet e importit dhe ato në tregun vendas. Sipas ministres, marzhi i fitimit nga furnizimi deri në shitjen me pakicë është rreth 8.5% dhe konsiderohet i kontrolluar.

Në fund, Ibrahimaj falënderoi grosistët e karburanteve në vend, duke theksuar se ata janë angazhuar të mbajnë një marzh fitimi të ulët gjatë kësaj periudhe.

"Bursat ndërkombëtare që nga muaji shkurt, kanë pasur luhatje të jashtëzakonshme, me një çmim mesatar 700 dollarë për karburantet dhe deri në 1200 dollarë në ditët e pikut. Çmimet në Shqipëri nuk kanë pasur rritje të madhe, por 10-15%. Gjykojmë që nuk jemi ende për të ringritur Bordin e Karburanteve dhe nëse do të shohim që ka luhatje apo abuzime me marzhet e fitimit, do të futet në fuqi. Ne kemi ngritur një ekip nga tre ministri dhe përfaqësues të agjencive, të cilët monitorojnë çmimet e zhdoganimit dhe çmimet në tabela në tregun e pakicës. Bëhet fjalë për një marzh 8.5% nga tregu i furnizimit te shitja me pakicë, një marzh të kontrolluar", u shpreh ministrja Delina Ibrahimaj./Versus.al

Poll