EKONOMI & MJEDIS /

Nepotizmi përballë ligjit, beteja e humbur e investitorëve nga diaspora

Shkruar nga Versus

Nepotizmi përballë ligjit, beteja e humbur e investitorëve nga  

Anëtarët e diasporës shqiptare, ndonëse me dëshirë të madhe për të kontribuar financiarisht në vendin tonë, po përballen me një klimë investimesh që bazohet të lidhjet nepotike dhe jo në ligj.

Sipas gjetjeve, nga një studim i fundit IOM mbi “Sfidat dhe mundësitë e integrimit të emigrantëve të kthyer” shihet se proceset burokratike dhe mungesa e instrumenteve financiare po kthehen në barriera të pakapërcyeshme për kapitalin e huaj. Shërbimet e riintegrimit mbeten të fragmentuara, të pafinancuara dhe, shpesh, të pakoordinuara, duke i lënë veçanërisht grupet në nevojë në situatë jo të favorshme. Shumë të kthyer përballen me papunësi, margjinalizim dhe vështirësi në njohjen e kualifikimeve të tyre.

Disa anëtarë të diasporës kanë shprehur rezerva të forta lidhur me garancitë ligjore në vend. Një investitorë nga Italia vuri në dukje se Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një vend ku përfitojnë vetëm të pasurit, duke lënë mënjanë ata që duan të krijojnë vlerë të mirëfilltë. Sipas saj, është jetike të bëhet dallimi mes atyre që kërkojnë lidhje politike dhe investitorëve të ndershëm.

“Ne në fakt, u përpoqëm të ktheheshim dhe të investonim në Shqipëri, por, në vend, të krijohet perceptimi se nuk është një sistem i drejtë. Ndihesh sikur ke nevojë për shumë lidhje, duhet të kalosh nëpër shumë kanale të ndërlikuara dhe ndoshta ke nevojë për shumë para vetëm për të bërë diçka.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me institucionet, gjëja që më bën të qesh është se nuk mund të mendoj për asnjë institucion specifik. Nuk e di kush është përgjegjës për çfarë. Edhe për të drejtat tona të pensionit, na u desh shumë, shumë kohë dhe është ende e pazgjidhur. Në Shqipëri, ke nevojë për para dhe lidhje. Nuk mund të mbështetesh te të drejtat e tua ligjore ose rregullat zyrtare. Kur kthehem në Shqipëri, them që ky nuk është vend për mua. Nuk kemi njohuri për institucionet që supozohet të na mbështesin”.

Raporti analizon edhe sfidat e të kthyerve që hapin biznese të vogla në qytete si Tirana apo Përmeti. Edhe pse hapja e një biznesi duket e thjeshtë, vështirësia fillon me operimin në tregun e pa rregulluar dhe konkurrencën e pandershme nga biznese të mëdha që kontrollojnë zinxhirët e shërbimeve pa pasur asnjë përvojë paraprake.

Një sipërmarrës i kthyer shpjegon vështirësitë e tij: ” Duhet ta njohësh mirë tregun dhe këtu nuk ke ku ta mësosh, sepse nuk ka informacion. Nuk arrin ta kuptosh tregun shqiptar, kostot e ushqimit, të rrobave etj. Ndërkohë, po shfaqen biznese të tjera, kompani shumë më të mëdha, që, pa përvojë, krijojnë një zinxhir shërbimesh, pa pasur asnjë historik dhe që konkurrojnë me bizneset e vogla të cilat dinë shumë më tepër dhe kanë qenë në treg për një kohë të gjatë e kanë përvojë. Por kjo nuk ndodh vetëm në biznes, ndodh edhe me profesionet e lira.” tha një i rikthyer.

Një vëmendje e veçantë në studim i kushtohet investimeve jashtë Tiranës, ku lidhja emocionale me vendlindjen është nxitësi kryesor. Megjithatë, në zona si Tropoja, investitorët po përballen me mungesë shërbimesh publike. Pavarësisht mjedisit të favorshëm natyror dhe potencialit për turizëm apo tregti, barrierat infrastrukturore janë dërrmuese.

“Në Tropojë, pavarësisht potencialit të dukshëm, siç janë hapësirat e disponueshme për dyqane dhe një mjedis natyror i favorshëm, sipërmarrësit përballen me sfida që shkojnë nga numri i ulët i klientëve, deri te mungesa e fuqisë punëtore. Një i kthyer, pavarësisht se drejtonte një biznes të suksesshëm, pati vështirësi të mëdha për të gjetur staf vendas dhe mendoi të punësonte punëtorë nga Azia. Mbyllja e shkollave, e institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe madje edhe e zyrës lokale të kadastrës e bëri edhe më të vështirë mbajtjen e aktivitetit ekonomik.”, tha një i rikthyer.

Sipas ekspertëve Shqipërisë i mungon një instrument financiar i konsoliduar që do të ndihmonte në kalimin nga dërgesat e thjeshta nga diaspora në investime të strukturuara.

Gjithashtu, platformat shtetërore si e-Albania apo Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) nuk kanë fusha specifike për të identifikuar nëse një investitor vjen nga diaspora. Kjo mungesë të dhënash e bën të pamundur për qeverinë që të krijojë stimuj të personalizuar apo të vlerësojë ndikimin real të emigrantëve në ekonominë kombëtare. Ekspertët e IOM vlerësuan se pa përmirësuar cilësinë e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë ligjore, diaspora do të vazhdojë t’i shohë investimet në atdhe si një rrezik të lartë./ Monitor.al

Poll