Shqipëria renditet në fund të listës së vendeve europiane për fuqinë blerëse të pagës minimale, duke u pozicionuar pas Moldavisë dhe Ukrainës, megjithëse këto dy vende kanë paga minimale nominalisht më të ulëta.
Në Bashkimin Europian, miliona punëtorë vazhdojnë të paguhen me pagë minimale. Këto pragje janë krijuar për të siguruar një standard jetese bazë, por shpesh nuk rriten në përputhje me inflacionin.Sipas të dhënave të Eurostat, në korrik 2025 paga minimale mujore bruto në BE varionte nga 551 euro në Bullgari deri në 2 704 euro në Luksemburg. Nëse përfshihen edhe vendet kandidate për në BE, Ukraina ka pagën minimale më të ulët – vetëm 164 euro në muaj.Pesë vende të BE-së – Italia, Danimarka, Suedia, Austria dhe Finlanda – nuk kanë një pagë minimale kombëtare të përcaktuar me ligj.
Nga euro te fuqia blerëse
Krahasimi i pagave minimale vetëm në vlerë nominale nuk tregon plotësisht realitetin ekonomik, pasi kostoja e jetesës ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Për këtë arsye përdoret PPS (Purchasing Power Standard) – një njësi e llogaritur që tregon sasinë e mallrave dhe shërbimeve që mund të blihet realisht në secilin vend.
Kur merret parasysh PPS, diferencat mes vendeve zvogëlohen. Për shembull:
Paga minimale në Luksemburg është 4.9 herë më e lartë se në Bullgari sipas euros,
por vetëm 2.3 herë më e lartë sipas fuqisë blerëse.
Renditja sipas PPS
Luksemburgu mban vendin e parë me 2 035 PPS, i ndjekur nga Gjermania, Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Franca.
Estonia është vendi me pagën minimale më të ulët në BE sipas PPS, me 886 PPS.
Nga vendet kandidate për në BE, Shqipëria ka fuqinë blerëse më të ulët për pagën minimale – vetëm 566 PPS.
Dallimet rajonale
Vendet e Europës Perëndimore vijojnë të kryesojnë listën, por përparësia e tyre ngushtohet kur krahasimi bëhet sipas PPS.
Shtatë shtete anëtare të BE-së – Malta, Hungaria, Sllovakia, Çekia, Bullgaria, Letonia dhe Estonia – renditen më poshtë se disa vende jashtë BE-së si Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Mali i Zi.
Në anën tjetër, vende si Rumania, Turqia dhe Maqedonia e Veriut shfaqin një renditje dukshëm më të mirë kur krahasohen sipas fuqisë blerëse sesa sipas euros. Ndërkohë, Estonia dhe Çekia humbasin më shumë terren në këtë krahasim. /Versus.al