EKONOMI & MJEDIS /

Nuk ka më të rinj/ 120 mijë pensionistë rikthehen në punë, 40 mijë vetëm brenda një viti!

Shkruar nga Versus
Nuk ka më të rinj/ 120 mijë pensionistë rikthehen në
Foto ilustruese

Numri i pensionistëve që u rikthyen në marrëdhënie pune u rrit me 40 mijë vetë brenda një viti. Shifra del nga të dhënat e INSTAT mbi tregun e punës për vitin 2024.

INSTAT thotë se në total, numri i të punësuarve përgjatë vitit të kaluar arriti në 1 milionë e 177 mijë vetë.

Nga këta, 1 milionë e 57 mijë ishin deri në 64 vjeç, ndërsa pjesa tjetër prej 120 mijë të punësuar është mbi këtë moshë.

Në vitin 2023, po nga të dhënat e INSTAT rezulton se numri i pensionistëve në marrëdhënie pune ishte pak më shumë se 80 mijë, duke sugjeruar se tregu, veç emigrantëve, po u adresohet edhe pensionistëve për të zgjidhur mungesën e burimeve njerëzore.

Burimet njerëzore renditen si një prej shqetësimeve kryesore të bizneseve në anketën e fundit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, që thotë se as orientimi për punonjës në tregjet aziatike, si India e Filipinet nuk e ka zgjidhur këtë problematikë.

Sipas të dhënave të INSTAT mbi personat e huaj të punësuar në Shqipëri, përgjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të fortë të shtetasve nga këto dy vende që janë pajisur me leje pune dhe qëndrimi në vendin tonë.

Të dhënat tregojnë se indianët punësohen kryesisht në ndërtim, ndërsa filipinasit në sektorin e shërbimeve.

 

Poll