EKONOMI & MJEDIS /

“Shqetësuese rënia e popullsisë, produktivitet i ulët”, FMN për ekonominë shqiptare: Mungesa e punëtorëve nxit inflacionin

Mes të tjerash FMN nënvizon në raport se duhet më shumë transparencë mbi shpenzimet publike. Sipas FMN, inflacioni pritet të rritet me 3% në vitin 2026.

Shkruar nga Versus

“Shqetësuese rënia e popullsisë, produktivitet i

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin për Shqipërinë ku nënvizon se rritja ekonomike mbetet e qëndrueshme dhe e nxitur kryesisht nga turizmi dhe konsumi privat. Gjatë vitit 2025, PBB-ja e vendit u rrit me 3.5 përqind.

"Pas një mesatareje prej 4.3 përqind në periudhën pas pandemisë, PBB-ja reale parashikohet të rritet me 3.5 përqind në vitin 2025, kryesisht e nxitur nga konsumi privat, dhe 3.6 përqind në vitin 2026, duke reflektuar një përshpejtim modest të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të zonës së euros. Efektet direkte nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa efektet indirekte nga masat tregtare globale dhe pasiguria gjithashtu duken të kufizuara deri më tani. Pavarësisht njëfarë moderimi, turizmi vazhdon të ofrojë mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik"- thuhet në gjetjet e FMN.

Më tej në raport nënvizohen disa pika problematike ku rënia e madhe e popullsisë cilësohet si tepër shqetësuese.

"Brenda vendit, një rënie më e theksuar se sa pritej e popullsisë në moshë pune mund të përkeqësojë mungesat e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të kërkojë një qëndrim më të shtrënguar të politikës monetare dhe të dobësojë perspektivat e rritjes", thotë FMN.

Shqipëria vlerësohet si ekonomi me produktivitet të ulët me boshllëqe në reforma për kapitalin njerëzor. 

"Produktiviteti mbetet i ulët, me të ardhura për frymë në vetëm një të tretën e nivelit të BE-së, dhe boshllëqet në reforma në kapitalin njerëzor, qeverisjen dhe rregullimin e biznesit janë të gjera", vlerëson FMN.

Ndërsa një tjetër kritikë i referohet Paqes Fiskale e cila u miratua në Kuvend së fundmi me votat e socialistëve. FMN thotë se ky projektligj rrezikon të minojë progresin e bërë më herët në administrimin tatimor.

"Marrëveshja e "Paqes Fiskale", e cila ofron anulimin e borxhit dhe rivlerësimin preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore"- thuhet më tej në raport.

Për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të mbyllur boshllëqet e reformave me Bashkimin Evropian, FMN thekson se reformat e brendshme në kohë janë thelbësore. Versus.al

Poll