EKONOMI & MJEDIS /

Shtresa e mesme në krizë, ish-ministri socialist i Financave: Rritja e çmimeve po dobëson fuqinë blerëse të familjeve shqiptare

Rritja e produktivitetit, krijimi i vendeve të punës me vlerë të shtuar, investimi në arsim dhe inovacion janë disa prej faktorëve që mund të ndihmojnë në forcimin e saj

Shkruar nga Versus

Shtresa e mesme në krizë, ish-ministri socialist i Financave: Rritja e

Inflacioni, rritja e çmimeve dhe kostot gjithnjë e më të larta të jetesës po vendosin nën presion shtresën e mesme në Shqipëri, e cila konsiderohet ende  brishtë përballë goditjeve ekonomike.

Pavarësisht se krizat ekonomike prekin të gjitha kategoritë shoqërore, ekspertët vlerësojnë se familjet me të ardhura mesatare po përballen me një sfidë të veçantë, pasi të ardhurat e tyre nuk po rriten me të njëjtin ritëm me shpenzimet.

Ish-ministri i Financave dhe akademiku Anastas Angjeli shprehet se në periudha krize, shtresa e mesme është ndër grupet që ndikohet më shumë.

“Kur fuqia blerëse bie, familjet detyrohen të kufizojnë konsumin, të shtyjnë investimet dhe të ulin kursimet, duke u bërë më të ekspozuara ndaj çdo luhatjeje ekonomike”, deklaron Angjeli.

Sipas tij, mbrojtja e kësaj shtrese kërkon politika afatgjata dhe jo vetëm masa të përkohshme. Rritja e produktivitetit, krijimi i vendeve të punës me vlerë të shtuar, investimi në arsim dhe inovacion janë disa prej faktorëve që mund të ndihmojnë në forcimin e saj.

“Duhet të krijohen kushte që njerëzit të rrisin të ardhurat përmes punës dhe jo vetëm të kompensohen për rritjen e çmimeve”, thekson ish-ministri.

Shtresa e mesme luan një rol kyç në ekonominë e një vendi, pasi ajo gjeneron konsum, kontribuon përmes taksave, investon në arsim dhe mbështet zhvillimin e biznesit. Dobësimi i saj, sipas ekspertëve, mund të sjellë rritje të pabarazive sociale dhe ngadalësim të zhvillimit ekonomik.

Në Shqipëri, kjo kategori përfshin kryesisht profesionistë si mjekë, juristë, inxhinierë, pedagogë, specialistë të teknologjisë, si dhe sipërmarrës të vegjël e të mesëm.

Përballë rritjes së vazhdueshme të kostove, sfida kryesore mbetet ruajtja e standardit të jetesës dhe krijimi i kushteve që kjo shtresë të zgjerohet, duke u kthyer në një bazë më të fortë për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare./Versus.al

Poll