Tregut financiar shqiptar do t’i shtohet së shpejti një bankë e re – e 12-ta në vend. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak për licencimin e bankës turke Ziraat, e cila synon të ushtrojë aktivitet bankar dhe financiar në territorin e Shqipërisë.
Ziraat Bank është një bankë shtetërore me histori të gjatë, e themeluar në vitin 1863 në Turqi. Ajo operon nën licencën bankare dhe mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare të Turqisë dhe ka zgjeruar aktivitetin e saj në 22 vende të ndryshme, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Greqinë, Bullgarinë, Kosovën dhe Qipron Veriore.
Në Shqipëri, Ziraat synon të hapë një degë të sajën. Sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, banka duhet të plotësojë të gjitha kushtet ligjore dhe teknike brenda 12 muajve nga data e miratimit paraprak, për të marrë licencën përfundimtare dhe për të nisur zyrtarisht veprimtarinë.
Ziraat është banka më e madhe shtetërore në Turqi, me asete totale që arrijnë në 166.75 miliardë dollarë. Ajo menaxhon rreth 170 miliardë dollarë dhe ka një rol kyç në sistemin financiar turk, duke përpunuar një në çdo pesë kredi për banesa dhe një pjesë të konsiderueshme të transaksioneve të tregtisë së jashtme.
Kjo do të jetë banka e dytë turke në tregun shqiptar, pas Bankës Kombëtare Tregtare, duke shtuar më tej diversitetin dhe konkurrencën në sektorin bankar të vendit. /Versus.al