Një shtetas nga Shqipëria u vu në pranga sot nga policia në Pejë, pasi u kap në flagrancë duke punuar në plantacione gjigande kanabisi. Prokuroria dhe Policia kanë dhënë detaje nga aksioni që u zhvillua në rajonin e Pejës, ku u sekuestrua mbi një ton drogë, me vlerë mbi 5 milionë euro.
Në konferencën për media u bë e ditur se deri tani kanë arrestuar 1 person, dhe se janë në kërkim edhe të 6 personave tjerë të dyshuar.

“Këto dy lokacione ku kemi bërë veprime hetimore janë lokacione të përmasave të mëdha të kultivimit të kanabisit. Jemi në fazën e përpunimit të vendit të ngjarjes dhe në vlerësimet tona, sasia dhe vlera mund të dalin më të mëdha. Njëra nga plantacionet ka qenë e rritur në nivelin ku konsiderojmë se një bimë kanabisi mund të japë produkt të marihuanës gjysmë kilogrami. Ka qenë hetim i gjatë, mbi dy muaj, i koordinuar me njësitet respektive të Policisë. Një person është i arrestuar, shtetas i Shqipërisë, i cili ka qenë në cilësinë e punëtorit për këto dy parcela. Kemi edhe persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë në fazën e kërkimit dhe identifikimit. Për këta nuk kemi detaje të tjera”, tha togeri Astrit Jasiqi.
Më tej ai shtoi se destinacioni i marihuanës ka qenë tregu ndërkombëtar dhe se vlera e substancave narkotike është mbi 5 milionë euro.

