
Një operacion antidrogë është finalizuar me sukses në fshatin Vreshtas të Maliq, ku është zbuluar një ambient i fshehtë i përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike të llojit cannabis sativa.
Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e Prokuroria e Korçës, në bashkëpunim me strukturat e policisë, ndërsa ambienti i përshtatur për aktivitetin kriminal ishte ndërtuar në mënyrë të fshehtë poshtë një koteci pulash.
Gjatë ndërhyrjes, u arrestua Klisman Leka, i cili rezulton i dënuar më herët për “vrasje me dashje”, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim.
Në vendngjarje u sekuestruan rreth 5.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa në proces tharjeje dhe e paketuar në doza të vogla, si dhe një sasi e vogël kokainë. Po ashtu, janë gjetur pajisje të ndryshme të përdorura për kultivimin dhe përpunimin e drogës, përfshirë vazo, llampa ndriçimi, sisteme ventilimi dhe peshore elektronike.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar edhe një armë në formë pistolete me bombol gazi të kompresuar, ndërsa hetimet zbuluan se ambienti furnizohej në mënyrë të paligjshme me energji elektrike, përmes lidhjes direkte me rrjetin e shpërndarjes.
Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

