
Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse është regjistruar në Tajlandë, ku një 22-vjeçar ka pranuar se i vuri zjarrin një zone pyjore vetëm sepse “nuk kishte çfarë të bënte” dhe kërkonte argëtim.
Sipas mediave lokale, i riu u arrestua në zonën pyjore Kaeng Hat Oi, në provincën Phitsanulok, pasi rojet pyjore e konstatuan duke lëvizur në mënyrë të dyshimtë pranë disa vatrave të zjarrit të raportuara në zonë.
Gjatë kontrollit, autoriteteve iu gjet një çakmak në posedim dhe, pasi nuk arriti të justifikonte praninë e tij aty, ai u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Në dëshminë e tij, 22-vjeçari pranoi autorësinë e zjarrvënies me një deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
“Doja vetëm të argëtohesha. Nuk kisha çfarë të bëja dhe i vura zjarrin pyllit për të parë rojet pyjore duke vrapuar për ta shuar. Veprova pa menduar”, mësohet të ketë thënë ai para hetuesve.
I riu është dërguar në komisariatin Chat Trakan, ku ndaj tij janë ngritur akuza për shkatërrim të burimeve natyrore. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike masën e dënimit që ai rrezikon, por mediat vendase raportojnë se penalitetet pritet të jenë të ashpra për shkak të situatës kritike me zjarret në vend.
Sipas autoriteteve tajlandeze, kjo konsiderohet një nga rastet e para të regjistruara në vend ku zjarrvënia në pyll kryhet vetëm për “argëtim personal”, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

