MAGAZINË /

Ikja që theu zemrat: Kreshnik Tomani, babai që jetonte për ëndrrën e vajzës së tij

Shkruar nga Versus
Ikja që theu zemrat: Kreshnik Tomani, babai që jetonte për
Kreshnik Tomai dhe vajza e tij

Një tragjedi e rëndë ka lënë pa fjalë shumë njerëz. Kreshnik Tomani, vetëm 35 vjeç, ndërroi jetë pas 10 ditësh në koma, pasi u përplas nga një 17-vjeçar që drejtonte automjet pa leje drejtimi.

Por historia e tij nuk është thjesht një shifër në statistikat e aksidenteve. Kreshniku ishte babai i Nikitës, vajzës 10-vjeçare që fitoi zemrat e publikut shqiptar me ëndrrën e saj për t’u bërë këngëtare. Ai ishte krahu i saj i djathtë, njeriu që besonte te pasioni i vajzës dhe që e shoqëronte me krenari në çdo hap.

Në një moment të paharruar në emisionin “Vizioni i Pasdites”, Kreshniku tregoi dashurinë e pakushtëzuar për fëmijët e tij: “Është ëndrra e saj dhe unë do të përpiqem t’ia plotësoj.” Ndërsa Nikita, mes emocioneve, tha: “Babin e dua më shumë… meraku im më i madh është mos t’i prish ëndrrën që unë të bëhem këngëtare.” Fjalë që sot marrin një peshë të dhembshme e të pathënë.

Së bashku me bashkëshorten Kristina, ai rriti me përkushtim tre fëmijë, duke punuar në sera dhe duke ndërtuar me djersë një jetë të thjeshtë, por të mbushur me dashuri dhe ëndrra të mëdha për të ardhmen e tyre.

Ikja e Kreshnikut është një plagë e thellë për familjen e tij, që humbi jo vetëm një bashkëshort e një baba, por edhe një mbështetje të pakushtëzuar, një njeri që jetonte për fëmijët.

Sot, kujtimi i tij jeton në sytë dhe ëndrrat e Nikitës dhe vëllezërve të saj, ndërsa historia e tij na kujton se pas çdo lajmi tragjik fshihet një botë e tërë dashurie, sakrifice dhe shprese./ Versus.al

Poll