
Robert Redford, një nga figurat më të mëdha të kinematografisë amerikane, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Përveç karrierës brilante në ekran, ai ka lënë pas edhe një pasuri të konsiderueshme, e cila vlerësohet rreth 170 milionë euro.
Gjatë dekadave të tij si aktor, regjisor dhe producent, Redford grumbulloi miliona dollarë nga projektet më të njohura filmike. Vetëm për rolin në filmin The Last Castle (2001), ai përfitoi një pagesë rekord prej 11 milionë dollarësh. Në të kaluarën kishte fituar 500 mijë dollarë për The Sting (1973), 2 milionë për A Bridge Too Far (1977) dhe 4 milionë për Indecent Proposal (1993).
Një pjesë e rëndësishme e pasurisë së tij vinte nga investimet në pasuri të paluajtshme. Ai zotëronte një portofol të gjerë pronash, mes të cilave një sipërfaqe prej 1,800 akrash në Utah, e mbrojtur pjesërisht për ruajtjen e natyrës. Redford kishte gjithashtu një fermë pranë resortit të tij të famshëm “Sundance” dhe një shtëpi buzë detit në Tiburon, Kaliforni, e cila u shit në fund të vitit 2024 për 4.65 milionë dollarë.
Përveç këtyre, ai kishte prona edhe në New York, Aspen, Malibu dhe Santa Fe. Me projektin “Sundance”, Redford nuk u shqua vetëm si ikonë e filmit, por edhe si një sipërmarrës i suksesshëm që la gjurmë në industrinë e artit dhe biznesit.







