Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e valëve të të nxehtit afrikan edhe përgjatë kësaj jave, me hyrjen e muajit korrik.
Sinoptikantja Lajda Porja ka paralajmëruar për temperatura deri në 40 gradë Celcius deri të enjten në pjesën më të madhe të vendit, por kryesisht në Berat dhe Koplik.
Sipas Pores, fundjava pritet të sjellë një tërheqje të valëve të të nxehtit, ndërsa në veri nuk përjashtohet mundësia për rrebeshe shiu. Megjithatë, vendi do të mbetet serish në temperatura kryesisht 38 gradë Celcius.
“Territori shqiptar gjatë kësaj jave do të jetë nën ndikimin e valëve të të nxehtit afrikan. Dita e martë dhe dita e mërkurë do të sjellin një tjetër rritje të temperaturave, duke bërë që e marta dhe e mërkura, kryesisht e mërkura dhe e enjtja, të shënojnë 40 gradë, që do të regjistrohen në qarkun e Beratit. Nuk mund të përjashtohen temperaturat 40 gradë edhe në zonat mbi Shkodrën, si në Koplik. Pjesa më e madhe e qyteteve urbane në Shqipëri do të jenë nga 38 në 39 gradë. E premtja dhe fundjava kanë një tendencë të tërheqjes së valëve, por mbetemi sërish në temperatura kryesisht 38 gradë në pjesën më të madhe të territorit shqiptar, përjashtuar të shtunën, ku ka mundësi që zonat veriore dhe verilindore të kenë rrebeshe të izoluara shiu, por afatshkurtra, vetëm për disa minuta dhe më pas sërish diell,” tha Porja.
I nxehti afrikan ka 'mbërthyer' Europën, ku Spanja po shënon një rekord temperaturash që arrijnë në vlerat 46 gradë celcius, ndërsa në disa zona të Italisë dhe Portugalisë priten temperatura mbi 42°C.
Autoritetet në këto vende kanë shpallur alarme të kuqe për rrezik shëndetësor dhe zjarrfikës, duke hapur qendra freskimi dhe pishina falas për të moshuarit dhe grupet vulnerabël.







