EKONOMI & MJEDIS /

Të gjitha ndryshimet fiskale që nisin nga 1 janari

6 ligje të reja fiskale: fshihen detyrimet e bizneseve, TVSH 10% për fermerët dhe masa kundër parasë cash

Shkruar nga Versus

Të gjitha ndryshimet fiskale që nisin nga 1 janari

Nis nga 1 janari 2026 zbatimi i paketës fiskale, që përfshin 6 ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, ndër më kryesore janë marrëveshja për paqen fiskale, fshirjen e detyrimeve të bizneseve në tatime dhe dogana, kompensimi 10% i TVSH për fermerët, ulja e pragut të përdorimit të parasë cash nga individët etj.

Marrëveshja e paqes Fiskale, Si do aplikohet nga janari

Nga 1 janari 2026 nis zbatimin edhe ligji “Për marrëveshjen e paqes Fiskale”, pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga Bashkimi Europian (BE), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), që nisma pritet të nxisë pastrimin e parave dhe të kapitalit të dyshimtë.

Ligji i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë mundëson nënshkrimin e një marrëveshje mes biznesit të madh me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit dhe administratës tatimore për parapagimin e tatimfitimit.

Vullnetarisht në këtë marrëveshje me administratën tatimore, mund të hyjë çdo biznes i rregullt qoftë persona fizik apo entitet. Të përjashtuar nga e drejta për të hyrë në marrëveshje me administratën tatimore janë bizneset që ndaj tyre është hapur çështje penale për mashtrim apo evazion fiskal.

Gjatë kësaj marrëveshje me afat 1 vjeçar (me të drejta rinovimi deri 2 herë),  biznesit me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit, do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur. Pra biznesi nuk do të parapaguajë një tatim të çfarëdoshëm, por që do të llogaritet mbi bazën e tatueshme e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.

Pra në thelb marrëveshja nuk e ndryshon normën e tatim fitimit që është 23% për bizneset me të ardhura neto mbi 14 mln lekë , por rrit bazën e tatueshme, pasi tatimi do të llogaritet mbi fitimin e vitit të kaluar plus një marzhi shtesë prej 18% . Vetëm për fitimin që tejkalon këtë nivel të vlerësuar, paguhet një tatim shtesë 5%.

Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.

Por bizneset që do të kërkojnë të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore për parapagimin e tatimit dhe korrigjimin e pasqyrave financiare  fillimisht do të duhet të dorëzojnë kërkesë online përmes platformës e-Filing.

Ministri i Financave Petrit Malaj më herët në takimin me sipërmarrjen për paketën fiskale 2026 tha se kërkesa e biznesit për marrëveshjen e paqes fiskale me administratën tatimore pasi të shqyrtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), do t’i delegohet drejtorive rajonale tatimore. Procedura nis në muajin janar, ndërsa pritet që Ministria e Financave të miratojë udhëzimet përkatëse për zbatimin e procedurave.

Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore, gjithashtu do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.

Tatimi 5% do të aplikohet për ndryshime të tilla si: rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të pa treguara më parë, rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividentë.

Për të gjitha këto raste nuk do të ketë gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesi të deklarojë paraprakisht se do të përfitojë nga marrëveshja.

Përjashtim për hyrjen në marrëveshje me tatimet, në këmbim të moskryerjes së kontrollit, do të bëjnë bizneset ndaj të cilëve janë hapur çështje penale për mashtrim apo evazion.

Të gjitha ndryshimet fiskale që nisin nga 1 janari

Detyrimet në tatime dhe dogana që do t’i falen biznesit nga 1 janari 2026 

Nga 1 janari 2026 nis zbatimin ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” që përcakton fshirjen e plotë të detyrimeve e papaguara në Tatime dhe Dogana deri më 31 dhjetor 2024.

Në falje nuk do të përfshihen detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për kontributet ligji përcakton vetëm fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave të krijuara deri më 31 dhjetor 2014. Kategori përfituese do të jenë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi.

Falen detyrimet e krijuar nga 2015–2019 me kushtin nëse paguhet 50%

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, ligji parashikon  edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kushtin të paguhet një pjesë e detyrimit.

Për detyrimet që i përkasin periudhës nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme me kushtin nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet. Nëse do të paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Do falen gjobat për borxhet nga 2020–2024 me kushtin të paguhet detyrimi

Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026. E njëjta skemë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përfshirë vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të paguhet 100% e kontributit brenda afatit të përcaktuar.

Ligji përcakton se shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2024, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi me kushtin që të paguhet 100% kontributi, brenda datës 31.12.2026.

Nga bizneset në tatime dhe dogana deri në vitin 2014 rezultojnë se janë 100 mln lekë apo rreth 1 mld euro detyrime të papaguara. Shifra me detyrimin e papaguar nga bizneset deri në 2014 që parashikohet të fshihet plotësisht u bë publike nga ministri i Financave Petrit Malaj në mbledhjen e mëparshme të Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore.

Sipas të dhënave të bëra publike në relacionin e ligjit në total administrata tatimore ka 202,387 tatimpagues debitorë me detyrime tatimore të papaguara në shumën 162,5 mld lekëve apo rreth 1,7 mld euro deri më 31 dhjetor 2024. Principali zë 60% të borxhit në shumën e 98,4 mld lekëve apo rreth 1 miliardë euro. 35% të tij e zënë gjobat në shumën e 581 mln eurove dhe 5% zënë interesat në shumën e 79 milionë eurove.

Deri në 31 dhjetor 2014 në tatime është krijuar borxh në shumën e 29,5 miliardë lekë apo rreth 304 mln euro. Në totali i borxhit deri më 31 dhjetor 2014, pa përfshirë në llogaritje kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, llogaritet 25 mld lekë apo rreth 260 mln euro.

Detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2024 në Dogana llogariten në vlerën e 48,5 mld lekë apo rreth 500 mln euro i pashlyer nga 4,684 debitorë. Principali zë 27% të borxhit, me vlerë 13,1 mld lekë. Pjesa më e madhe e tyre përbëhet nga gjobat me vlerë 26,5 mld lekë (55% të totalit) dhe kamatëvonesat me vlerë 8,9 mld lekë apo 18% të totalit.

 Deri më 31 dhjetor 2014, borxhi i krijuar në Dogana është në shumën e 25,7 mld lekëve apo rreth 266 mln euro, detyrime të papaguara mbi 10 vite që do të fshihen.

Sipas llogaritjeve nga të dhënat publike ligji parashikon në total të fshijë plotësisht rreth 525 mln euro detyrime të papaguara të bizneseve deri më 31 dhjetor 2014.

Nga 260 mln euro që do të fshihen plotësisht në tatime, borxhi më i madh është krijuar për TVSH e papaguar në vlerën e 11,6 miliardë lekë, për tatim fitimin 6,2 mld lekë, për taksa të tjera me vlerë 6,5 miliardë lekë dhe për TAP shuma e papaguar rezulton 675 mln lekë.

Në Dogana për borxhin që kërkohet të fshihet peshën më të madhe e zënë gjobat dhe interesat me vlerë 200 mln euro.

Miratimi i ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë” krijoi debate te deputetët e opozitës dhe ekspertët. Deputetët e opozitës kërkuan disa herë bërjen publike të listës me emrat e përfituesve që do t’u fshihen automatikisht detyrimet e papaguara deri në vitin 2014.

Ekspertët gjithashtu theksuan se lista duhej të bëhej publike, pasi ka shumë biznese që përfitojnë bazuar në listën pasive, por ndërkohë ushtrojnë aktivitete të tjera, i njëjti person ka pasur një fabrikë ka falimentuar dhe ka hapur një kompani ndërtimi. Pra ky subjekt gjeneron të ardhura dhe fitime dhe nuk ka pse të lehtësohet me fshirjen e detyrimeve. Ekspertët nënvizuan se kjo mungesë e transparencës së listës do të dekurajojë bizneset e rregullta.

 

Kompensimi 10% për fermerët, nga janari Tatimet do nisin sqarimet për aplikimet në e-Albania

Nga 1 janari 2026 nis zbatimin edhe skema e kompensimit të TVSH-së 10% për fermerët që do të shesin prodhimet e tyre bujqësore tek grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmet e certifikuara.

Ligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë përcakton se kompensimi i TVSh-së 10% të fermerëve do të bëhet mbi vlerën e faturave të lëshuara nga blerësi i produkteve të tyre bujqësore.

Për fermerët e pajisur me NIPT tatimor, pra që nuk janë subjekte të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), ligji parashikon se fatura e shitjes apo autofatura lëshohet prej blerësve të mallrave bujqësore.

Në total sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga viti 2018 deri në shtator 2025 janë të pajisur me NIPT tatimor 110 mijë fermerë.

Kjo autofaturë e lëshuar për fermerin nga përpunuesi, grumbulluesi, apo një agroturizëm i certifikuar do të shërbejë si bazë për llogaritjen e kompensimit, i cili përfaqëson 10% të vlerës së saj dhe synon të mbulojë pjesërisht TVSH-në që fermerët kanë paguar për inputet bujqësore, si plehra kimike, fara dhe fidanë.

P.sh nëse një fermer i pajisur me NIPT do të shesë produkte bujqësore, me vlerë 1,000 euro, dhe për këtë shitje grumbulluesi apo përpunuesi do të lëshojë autofaturën përkatëse, atëherë fermeri do të përfitojë një kompensim prej 10%, pra 100 euro.

Kërkesa për kompensim do të bëhet dy herë në vit, për periudhat janar–qershor dhe korrik–dhjetor.

Sipas sqarimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për Monitor nga 2026 fermerët do të udhëzohen se kur do të dorëzojnë kërkesën e kompensimit të TVSH-së përmes platformës e-Albania. Përveç kërkesës, fermerët do të duhet të konfirmojnë online çdo autofaturë të lëshuar në emrin e tyre, me qëllim shmangien e abuzimeve prej përpunuesve. Pas verifikimit, shuma e kompensimit do të derdhet direkt në llogarinë bankare të fermerit brenda 30 ditëve. Tatimet pohuan se nxjerrjes së udhëzimit nga Ministria e Financave për zbatimin e ligjit, në mbarë vendin do të nisë fushata për orientimin e procedurave për fermerët.

Përfitues të skemës janë fermerët që nuk janë subjekt i TVSH-së dhe që nuk ngarkojnë TVSH në shitjen e produkteve të tyre, por që njëkohësisht nuk kanë të drejtë të rimbursojnë TVSH-në e paguar për blerjet.

Skema synon kompensimi 10% i TVSh-së së paguar për inputet bujqësore, por që nuk do të llogaritet direkt mbi blerjet e fermerit për plehra kimike, fidanë apo fara, por mbi vlerën e autofaturave të lëshuara nga grumbulluesi për produktet bujqësore që fermeri do të shesë te ta. Sipas ligjit të TVSH-së fermerët e pajisur me NIPT nuk lëshojnë fatura shitje nëse shesin produktet e tyre bujqësore te persona të tatueshëm, por janë këta të fundit që lëshojnë autofaturën për fermerin.

Edhe kjo skemë u kundërshtua nga Shoqata e Blegtorëve të Qumështit. Më herët në Komisionin e Ekonomisë Kryetari i Shoqatës së Blegtorëve të Qumështit Gentian Lalaj kërkoi që kompensimi i TVSH-së 10% të mos bëhet nëpërmjet autofaturave të lëshuara nga përpunuesi, por me faturim direkt nga fermeri. Për shoqatën e blegtorëve autofatura e lëshuar prej përpunuesve është abuzive. Shoqata e Blegtorëve gjithashtu kërkoi edhe barazimin e TVSH-së për blerjet dhe shitjet e mallrave me TVSh të fermerit, si dhe zbatimin e skemës së kompensimit mbështetur mbi litra qumësht të prodhuar.

Nga ulja e përdorimit të Cash te detyrimi i bizneseve për terminalet “POS”, hyjnë në fuqi ndryshimet te procedurat tatimore

Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi edhe ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”

Ndryshimet përfshijnë zbatimin e disa nismave të rëndësishme, si zvogëlimi i përdorimit të parasë në dorë në transaksionet ndërmjet bizneseve, duke ulur kufirin e lejuar për pagesat me para në dorë nga 150,000 lekë në 100, 000 lekë. Kjo masë synon të rrisë transparencën dhe gjurmueshmërinë e transaksioneve, si dhe të reduktojë evazionin fiskal, duke nxitur përdorimin e pagesave përmes sistemit bankar, të cilat janë më të lehta për t’u kontrolluar dhe verifikuar nga administrata tatimore.

Ndryshimet sollën edhe vendosjen e një kufiri për transaksionet me para në dorë që personat fizikë, individët e vetëpunësuar dhe tregtarët apo entitetet kryejnë me individë, kur vlera e transaksionit kalon pragun 500,000 lekë. “Kjo ndërhyrje synon të forcojë kontrollin mbi qarkullimin e parasë jashtë sistemit financiar formal dhe të rrisë nivelin e formalizimit të transaksioneve”, theksohej në relacion.

Në kuadër të politikave për reduktimin e përdorimit të parasë në dorë dhe nxitjen e pagesave elektronike, gjithashtu u miratua vendosja e detyrimit për pajisjen me terminal “POS” në pikat e shitjes të tatimpaguesve që kryejnë veprimtari ekonomike me pagesa në para në dorë, sipas afateve të parashikuara në ligj.

Ministri i Financave Petrit Malaj më herët sqaroi se brenda datës 30 Maj 2026, detyrimi duhet të përmbushet nga çdo biznes që operon në sektorin e turizmit edhe në atë të transportit, përveç pagesave cash, do të duhet të garantojë forma alternative të pagesave elektronike, ku përfshihen pajisjet POS, apo forma të tjera elektronike.
Ndërkohë ky detyrim duhet të përmbushet nga të gjithë bizneset e tjera, brenda datës 31 Dhjetor 2026.

Të gjitha ndryshimet fiskale që nisin nga 1 janari

Ndër të tjera ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore përcaktojnë edhe nismat si: Përjashtimin nga kamatëvonesat për institucionet publike, në rastet kur mosrespektimi i afateve të deklarimit apo pagesës së detyrimeve vjen si rezultat i zbatimit të një akti ligjor apo nënligjor me efekte prapavepruese ose i vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Ky përjashtim synon të mbrojë institucionet publike nga penalitete që burojnë nga faktorë objektivë dhe të pavarur nga vullneti i tyre;

Vendosjen e sanksioneve administrative ndaj prodhuesve ose mirëmbajtësve të softëare-it të pajisjeve fiskale, në rastet e refuzimit të bashkëpunimit me administratën tatimore, me qëllim sigurimin e bashkëpunimit të plotë në rastet kur kërkohet hapja ose verifikimi i pajisjeve fiskale të konfiskuara. Me këtë ndryshim vendoset detyrimi ligjor për bashkëpunim dhe parashikohen sanksione administrative në rast refuzimi, me synim forcimin e kontrollit dhe garantimin e funksionimit të rregullt të sistemit të fiskalizimit;

E drejta e tatimpaguesve individë për të korrigjuar deklaratën vjetore të të ardhurave personale brenda 6 muajve nga data e dorëzimit, me mundësinë për të kryer jo më shumë se dy korrigjime. Gjithashtu, parashikohet reduktimi i afatit për dorëzimin e deklaratave të ndryshuara nga 36 muaj në 24 muaj.

Nga 1 janari nis zbatimin rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me tatim 5%; Referencat e reja do rrisin taksën e banesës në rrethe

Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi edhe ligji “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, që do t’u japë mundësinë qytetarëve dhe bizneseve të rivlerësojnë pronat e tyre me tatim të reduktuar 5% nga 15% që është norma, si dhe VKM për çmimet e ndryshuara të referencës në rrethe.

Periudha e zbatimit të procesit të rivlerësimit do të jetë nga data 1 janar 2026 deri më 31 mars 2027. Afati maksimal për dorëzimin e kërkesës për rivlerësimin e pasurisë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është deri më 31 dhjetor 2026.

Rivlerësimi do të kryhet nga ekspertë të licencuar ndërsa tatimi 5% do të paguhet mbi diferencën e vlerës së shitblerjes së pronës.

Hartës së re të çmimeve në rrethe, që hyn në fuqi nga 1 janari 2026, i shtohen edhe 54 zona të reja kadastrale. Numri i tyre arrin në 119 zona nga 65 që ishin më parë.

Referuar vendimit “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ‘ndërtesa’, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj” ndryshimet më të larta të çmimeve të referencës për rrethet rezultojnë në Durrës.

Me hartën e re, Durrësi do të ndahet në 13 zona kadastrale me çmime që varion nga 45 mijë lekë deri në 200 mijë lekë për metër katror nga 67,5 mijë lekë që ishte çmimi i mëparshëm. Në Durrës ndryshimet më të larta prej 196%, krahasuar me çmimin e mëparshëm, janë për zonën kadastrale nr.13, e cila në terren përkon në portin e Durrësit, ku po zhvillohet edhe projekti i “Durrës Yahts Marina”. Nga 67,5 mijë që është çmimi i vetëm i referencës së shitblerjes së apartamenteve në Durrës në këtë zonë pas hyrjes në fuqi të vendimit, çmimi i do të jetë 200 mijë lekë për metër katror.

Rritja të lartë për çmimet e referencës ka edhe për zonat e tjera bregdetare, si: Himara, Saranda, Vlorë dhe ishulli i Sazanit. Me hartën e re Himara ndahet në 5 zona kadastrale, ku rritja më e lartë e çmimit prej 141% është për zonën nr.1.

Nga 58 mijë lekë për metër katror çmimi arrin 140 mijë lekë për metër katror. Saranda gjithashtu do të ndahet në 5 zona kadastrale, ku për zonat nr.1 dhe nr.3 çmimi arrin 100 mijë lekë për metër katror apo 78.6% më shumë sesa çmimi i mëparshëm. Vlora do të jetë e ndarë në 7 zona kadastrale, ku 4 prej tyre janë brenda qytetit, dhe zonat e tjera do jenë ajo e Rradhimës, Orikumit dhe ishullit të Sazanit. Në Vlorë rritja më e lartë për çmimet e referencës është në ishullin e Sazanit.

Deri tani ishulli i Sazanit, nuk ka qenë i banueshëm. Ky i fundit përfshihet për herë të parë si zonë kadastrale në hartën e metodologjisë për llogaritjen e taksës së ndërtesës, pas prezantimit për zhvillimin e projektit rezidencial nga kompania Affonity Partners e sipërmarrësit Jared Kushmer, dhëndri i Presidentit Donald Trump. Për ishullin e Sazanit çmimi i referencës është 200 mijë lekë për metër katror apo 233% më shumë sesa çmimi i mëparshëm për qytetin e Vlorës.

Ashtu siç ndodhi në Tiranë në gusht të vitit 2023, rritja e çmimeve të referencës do të sjellë rritje të detyrimit të taksës së ndërtesës për familjarët dhe bizneset, pasi vlera e pronës për llogaritjen e taksës, bëhet sipas çmimeve të referencës së apartamenteve. Rritja e detyrimit do të jetë në njëjtën vlerë me ndryshimet e referencës.

Çmimet e reja të referencave për shitblerjen e apartamenteve në rrethe do të rrisin edhe detyrimin e ndërtuesve për taksën e ndikimit në infrastrukturë.

Për llogaritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, baza e taksës është vlera në lekë për metër katror e çmimit të shitjes së ndërtimit qoftë për qëllime banimi apo për shërbime. Ndërsa çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerat referuese të metodologjisë së miratuar nga qeveria.

Për qytetin e Durrësit taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtime banime, që nuk janë të destinuara të përdoren për turizëm, industri apo për shërbime publike është 8%, sipas vendimit “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2023” i miratuar në muajin dhjetor 2022.

Për një objekt rezidencial me sipërfaqe 100 mijë katror, me vendndodhje pranë portit të Durrësit, sipas llogaritjeve me çmimin aktual të referencës detyrimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtuesin është 540 mln lekë. Detyrimi i taksës i llogaritur me çmimin e ri të referencës që hyn në fuqi nga 1 janari 2026 për një ndërtim me sipërfaqe 100 mijë metra katror llogaritet rreth 1 mld lekë. Detyrimi i ndërtuesit për taksën do të rritet në përqindje të njëjtë me ndryshimin e referencave.

Ndërtuesit paralajmërojnë se rritja e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë do të shtojë koston për ta, që do të reflektohet me ndryshim të shitjes së çmimeve të apartamenteve, veçanërisht në zonat bregdetare si Durrësi dhe Qerreti.

Hyn në fuqi shtyrja e afatit për dorëzimin e librave të shitjes dhe blerjes

Paketa fiskale 2026 solli ndryshime edhe te afati i dorëzimit të faturave të fiskalizuara, që përmbajnë librat e shitjes dhe blerjes së tatimpaguesve.

Ligji  “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87, datë 18.12.2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’, të ndryshuar” miratoi shtyrjen me 1 ditë të afatit të plotësimit dhe dorëzimit të librave të shitjes dhe blerjes. Nga data 10 e muajit pasardhës e lejuar për plotësimin e librave të shitjes dhe blerjes u përcaktua si afat data 11 e muajit pasardhës.

Nga muaji mars 2023 librat e shitjes dhe të blerjes transferohen automatikisht nga platforma e faturave në sistemin I-tax. Pas datës 11 mund të bëhet përditësimi i librit që shfaqet në sistemin I-tax të tatimpaguesit. Pra pas kësaj date, tatimpaguesi nëse ka ndryshim mund të çojë variantin e tij të rregulluar.

Në relacionin e draftit theksohej se shtimi i afatit me 24 orë është një masë praktike që do të lehtësojë përpunimin e faturave brenda sistemit të fiskalizimit.

Ekonomistët pohuan më herët se shtyrja e afatit do t’i kufizojë në kohë për kryerjen e pagesës mujore të TVSH-së që është data 14 e muajit. Furnizuesit e Shërbimit Universal (FSHU) dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) i dorëzojnë faturat e fiskalizuara më datë 10 apo 11 të muajit pasardhës, por që për një biznes që e ka shpenzim kryesor energjinë, si në rastin e prodhuesve kjo shkakton limitim kohe për llogaritjen e TVSH-së.

Ligji gjithashtu zgjati afatin për fiskalizimin e faturës në rastet e importeve, nga deri në 3 ditë pas vendosjes së mallrave të importit nën regjimin e qarkullimit të lirë, deri në ditën e 7-të të muajit pasardhës nga data e vendosjes së mallrave në këtë regjim. “Ky ndryshim synon të përshtatë afatin ligjor për fiskalizimin e faturave të importeve me funksionimin praktik të sistemeve elektronike, duke lehtësuar përmbushjen e detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit”, theksohet në relacion.

Për eksportin e mallrave te individët, pra në rastet se blerësi është individ, do të kërkohet saktësim i faturës së fiskalizuar, që do të duhet të përfshihet në te edhe numri personal i identifikimit (ID) të blerësit, për një gjurmueshmëri më të qartë.

Sipas relacionit të draftit, përfshirja e numrit personal të identifikimit (ID) në faturë siguron identifikim të qartë dhe unik të individit, shmang pasaktësitë në procesin e raportimit, si dhe lehtëson verifikimin nga autoritetet tatimore dhe doganore në rastet e kontrolleve apo hetimeve të mëvonshme.

Ligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87, datë 18.12.2019, ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’, ndër të tjera synon të adresojë nevojat e përshtatjes së legjislacionit tatimor me zhvillimet e fundit në fushën e tatimeve mbi të ardhurat, si zëvendësimin e të gjitha referencave në ligj, përkatësisht “tatimi mbi fitimin” dhe “tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël”, për tu zëvendësuar me përkufizimet e reja përkatësisht “tatimi mbi të ardhurat e korporatës” dhe “tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi”, duke siguruar kështu koherencë ligjore dhe përshtatje me kuadrin e ri tatimor.

Me paketën e re fiskale nga 1 janari 2026 hyn në fuqi edhe ligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar” që përjashton nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë e investimeve të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtes sociale./ MONITOR

Poll