OPINION /

Politika vendore – një histori burrash

Shkruar nga Versus

Politika vendore – një histori burrash

Nga Klesiana Omeri

Të dielën e 24 shtatorit 2023, mes 44 mijë votuesve në Bashkinë e Kukesit që iu drejtuan qendrës së votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, ishte dhe Vera Istrefaj. Në fletën e votimit ishin vetëm dy kandidatë burra, nga forcat më të mëdha politike. Nëse rrethanat do të kishin qenë në favor të saj, Vera do të ishte alternativa e tretë për qytetarët e Kukësit, pasi pak javë më parë, angazhimin disa vjeçar në shoqërinë civile, Vera Istrefaj vendosi ta "kurorëzonte" me garën për të qenë qytetarja e parë e Bashkisë së Kukësit, aty ku u lind dhe u rrit.

Vera është juriste në profesion, aktiviste e të drejtave të njeriut me një përvojë20- vjeçare, gjithashtu koordinatore e rrjetit “ Barazi ne vendimmarrje” për Qarkun Kukës. Përveç angazhimit civil, ajo ka botuar herë pas here shkrime brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime të rëndësishme.

Në datën 19 gusht, Vera mori një propozim publik nga organizata “Profesionistë të Lirë për Shqipërinë”, me synimin për të qenë një vlerë përbashkuese e të gjithë faktorëve vendimarrës në atë Bashki. Kandidatura e saj u prit mirë nga komuniteti kuksian, i cili ishte i etur për ndryshim. Dhjetëra komente pozitive në rrjetet sociale vërshuan drejt Verës, duke i rritur entuziazmin, pa e ditur ende se çfarë e priste. "Kjo kohë e turbulluar dhe e trazuar politikisht, me pasoja rënduese për popullin, do kishte nevojë për një personalitet të qetë, të matur, punëtor dhe të sakrificës", është një nga shumë vlerësimet që Vera Istrefaj mori nga qytetarët.

“Momenti për t’i dhënë një mësim të mirë politikës,” shkruan një tjetër.

“Të jetosh me dinjitet është sakrificë dhe virtyt i njerëzve fisnik dhe këtë e keni dëshmuar shumë mirëju Vera. Uroj që kuksianët e mi të dinë ta vlerësojnë kontributin tuaj në vite. Do pëlqeja të paraqiteshit si kandidaturë e shoqërisë civile, ndoshta dhe e pavarur, por jo e trinomit politik!”

Flutura Xhabija, sipërmarrëse dhe kryetare e Shoqatës së Grave Artizane e vlerëson Verën jo vetëm si një figurë të respektuar në Kukës, por si një figurë të lëvizjes së grave shqiptare tash 20 vjet. “Ajo njeh thellë problemet e qytetit, fshatit dhe të gjitha shtresave; është inteligjente në zgjidhjen e cështjeve,është e drejtperdrejtë, ka guxim, flet aty ku e kur duhet; merr pjesë në organizimet lokale, nacionale dhe rajonale; gëzon kudo respektin më të madh”, rendit Xhabija disa nga karakteristikat e Verës. Madje ajo thotë se e sheh Verën si një kandidate shume të mirë për në Parlament, “si një deputete meritueshëm e Kukësit fisnik dhe trim”.

Vera e pranon që kjo mbështetje i dha forcë për ta pranuar kandidimin, sepse përputhej edhe me qëllimet e saj në politikë. Në zërin e saj dallon ende entuziazmine dikurshëm, teksa na tregon.

"Unë e mendova kësaj herë do ishte i nevojshëm kandidimi i një gruaje duke ardhur në formën e gjithëpërfshirjes, pa përfaqësuar asnjë forcë politike. Për të sjellë një risi, për të zgjuar te të rinjtë dhe gratë interesin, shpresën që po venitet gjithnjë e më shumë, se mund të ketë mundësi dhe për njerëz si unë që nuk vinë nga pushtetet e partive politike, vijnë nga popullata, nga interesa të përbashkëta me shumicën e popullsisë për t’u përfshirë në politikë".

Por qëllimi i Verës nuk u përmbush. Teksa data e regjistrimit zyrtar po afronte, ajo vendosi të tërhiqej nga gara. E keqardhur, Vera Istrefaj tregon arsyet që e çuan drejt kësaj vendimarrje, jo fort të lehtë për të. "Në këtë fushatë ku militantizmi është shumë i theksuar, duke parë dhe si po ecnin gjërat, sepse unë i njoh qytetarët e mi, i njoh lëvizjet e tyre, qyteti im është i vogël, gjërat merren vësh shumë shpejt, dhe me të vërtetë konstatova se kësaj here askush tjetër s’kishte mundësi."

Të qenit grua, duket se e bën edhe më të vështirë arenën politike, që është dominuar gjithmonë nga ashpërsia e gjinisë tjetër. "Në Kukës kjo gjëndihet edhe më shumë. Për një grua si puna ime që nuk vij nga biznesi, nuk përfaqësoj interesa të partive politike, është shumë shumë e vështirë". Teksa imazhet e skandalit seksual të ish-kryetarit Safet Gjici janë ende të freskëta, përpjekja e Vera Istrefajt për t’u futur në garë me dy kandidatë burra, bëhet më e guximshme. "Pas këtij skandali, sigurisht që unë e mendova njëherë se partitë politike do të reflektonin, duke njohur karakterin e kuksianëve, përmasat e skandalit, do ishte mirë që një grua të kandidonte dhe fitonte".

Kjo ngjarje ndikoi jo vetëm te Vera, por dhe të gjitha gratë që punojnë në administratën shtetërore. Valmira Mujo, e cila është anëtare e Këshillit Bashkiak në Kukës, thotë se kjo ishte një goditje e fortë për të, por edhe për kolegët e saj. “Ngjarja ishte shumë e rëndë dhe diskretituese. Nuk është pritur aspak mirë, sepse ishte një goditje shumë e fortë për të gjitha gratë që punojnë në administratën shtetërore dhe jo vetëm”. Lidhur me masat e marra për zbatim të Kodit të Punës për ngacmimet seksuale, Valmira shprehet pesimiste për zbatimin e tyre.

“Masat merren, ashtu siç janë marrë gjithmonë e megjithatë nuk e di sa zbatohen. Ne mbështesim  maksimalisht të gjitha ato gra që mundohen të jenë një zë për qytetin tonë. Duhet të jetë, por nuk është.”

Dy vjet para zgjedhjeve lokale, Vera e kishte ngritur cështjen e punësimit të grave dhe vajzave në administratë si diskriminuese.Në një intervistë për Porta Vendore në 2021 Vera kishte folur për pabarazinë në punësimin e grave dhe investimin e pakët që bëjnë familjet për shkollimin e vajzave.  “Gratë e vajzat janë të punësuara në sektorët e shërbimit, aty ku puna ka më shumë ngarkesë dhe pagat janë më të ulëta, aty ku angazhimi është shumë më tepër se sa pagesa për këtë angazhim dhe ku mundësitë për t’u rritur profesionalisht apo për t’u integruar më tepër në jetën sociale janë të limituara. 90%  e punonjësve të shëndetësisë dhe arsimit janë gra e vajza, por ato drejtohen nga burra dhe djem, ndërsa rreth 50% e administratës së shërbimeve në bashki janë gra e vajza, por të gjithë titullarët janë burra dhe djem.

Nëse do të regjistrohej zyrtarisht, Vera Istrefaj do të bëhej kandidatja e parë grua në bashkinë e Kukësit. Që nga viti 1992, në të gjitha garat për pushtetin vendor, partitë politike nuk kanë garuar me kandidate gra në këtë Bashki. Rrjedhimisht, Bashkia e Kukësit ka pasur vetëm burra në krye të saj. Por konsiderata e pakët për gratë në procese zgjedhore nuk evidentohet vetëm në Kukës. Pavarësisht se përfshirja e grave në vendimarrje trumbetohet me të madhe, partitë politikë pak e reflektojnë në veprime konkrete.

Në maj të vitit 2023, nga 140 emra për 61 “fronet” lokale, vetëm 15 ishin gra. PS nga 61 kandidate zgjodhi vetëm 8 gra për t’i futur në garë. PD nga 14 kandidatë zgjodhi vetëm 3 gra. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” nga 61 kandidatë vetëm 3 gra PDIU vetëm 1 kandidate dhe ajo ishte grua. Barazia gjinore në politikëbërje vijon të mbetet një sfidë për pjesmarrjen aktive të grave, pavarësisht se për përfshirjen e tyre nuk ka pengesa ligjore. Ky shqetësim është evidentuar dhe në raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, të cilat kanë konsideruar të pamjaftueshme përfshirjen e kuotave gjinore në Kodin Zgjedhor.

Gratë janë ende pa peshë në vendimarrje, kanë më pak akses në burime, madje marrin më pak vëmendje dhe në media.

Nga një vëzhgim personal i bërë për fushatën zgjedhore zyrtare, përgjatë muajit prill, të ftuara në studio apo panele televizive kanë qenë vetëm 3 kandidate: Eriselda Sefa, kandidate në Lushnjë,Emiriana Sako,kandidate në Durrës dhe Lajla Pernaska, kandidate në Tiranë. 11 kandidatet e tjera gra nuk kanë pasur hapësirë mediatike për të shpalosur programet e tyre zgjedhore. Por përfshirja e grave në vendimarrje mbetet një boshllëk në shumë institucione publike. Raporti mbi përfaqësimin politik në procesin zgjedhor, nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri me mbështetjen e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), ka evidentuar se në pozitat udhëheqëse në nivel të administratës vendore, 49 bashki ose 82% nuk përmbushin detyrimin ligjor të 30% të grave në pozicionin e administratorët. 15 bashki ose 25% nuk përmbushin detyrimin ligjor të 30% grave në zgjedhjen e deputetit. Në studimin “Gratë në udhëheqje në nivel të këshillave bashkiakë në 2019” thuhet se gratë janë në krye të këshillave bashkiakë në 41% të bashkive, dhe nënkryetare 39% në vend (44 gra nga 112 gjithsej në 61 komunat).

Të gjitha këto të dhëna, e nxjerrin politikën një punë të madhe burrash, por tërësisht të paplotësuar pa kontributin real të grave.

 

 

Poll