Nga Anila Prifti
Sot u njoftova që një televizion kombëtar vendosi t’i kalojë korrespondentët e vet me honorare të lodhura. U hoqi pagesën mujore dhe i futi në listën e 'bashkëpunëtorëve të jashtëm' – një term që në realitet do të thotë: punë pa siguri, pa kontratë, pa të ardhme. Disa prej tyre kanë më shumë se një dekadë në terren, kanë raportuar nga vendngjarje, kanë mbajtur gjallë një minimum dinjiteti për publikun. Sot janë të panevojshëm.
Sepse sot lajmi nuk pritet, nuk kërkohet, nuk vjen më nga vendi i ngjarjes; lajmi prodhohet, në redaksi, nga njerëz që nuk pyesin, por lexojnë. Dhe në një kohë ku gjithçka mund të jetë 'lajm', gazetari është ai i tepërmi.
E njëjta skemë është parë diku tjetër. Në Hungari, qeveria u forcua, mediat u blenë një nga një dhe gazetarët që nuk pranuan të heshtnin, u pushuan. Në Poloni, pas ndryshimit të pushtetit, u pastruan mediat publike brenda ditësh. Në Serbi, gazetaria u shtyp me kontrolle, presione dhe mbyllje zyrash lokale. Në të gjitha këto raste, nuk pati protestë të vërtetë, sepse heshtja u bë normë. Ne po bëjmë të njëjtën gjë, më butë, por më cinikisht.
Gazetaria në Shqipëri nuk po vdes sot. Ajo ka kohë që është në agoni. U përdor politikisht, u fye publikisht, u keqpagua dhe u detyrua të heshtte në këmbim të mbijetesës. Pushteti e shtrydhi sa i duhej dhe, tani që nuk ka më nevojë për fasadë, e flak tej. Opinioni e sheh si një profesion të kompromentuar, jo sepse nuk ka gazetarë të mirë, por sepse askush nuk i mbrojti kur duhej. Profesioni nuk ka më reputacion, nuk ka peshë.
Sot, edhe brenda redaksive, ndjehet një lloj dorëzimi. Askush nuk lufton për të vërtetën sepse ajo nuk ka më treg; luftohet vetëm për një vend pune, për një pagesë, për një vend në skemën e heshtjes. Dhe kur ndonjë guxon të flasë, vihet menjëherë në lëvizje mekanizmi i diskreditimit: “Edhe ky është si të tjerët”...
Kështu, një profesion që dikur ngjallte respekt, sot përfundon i padukshëm, i papërfillshëm, si mbetje pas zgjedhjeve – pa mbrojtje, pa vlerë. Dhe nesër, kur të mos ketë më kush të shkruajë për padrejtësitë, për zhvatjet, për humbjet, do të jetë vonë për t’u kujtuar për gazetarët – ashtu siç është gjithmonë vonë kur humb diçka që nuk e vlerësove në kohë.