AKTUALITET /

Aeroporti i Vlorës/ Pacolli kërcënon me arbitrazh, Valon Ademi tregon pazaret për llogari të rusëve

Thelbi i konfliktit lidhet me pretendimet për pronësinë reale të aksioneve, zyrtarisht kompania e Ademit kishte vetëm 2%, por ai pretendon se ekzistonte marrëveshje që të zotëronte 49% të projektit pas largimit të ortakëve turq.

Shkruar nga Versus

Aeroporti i Vlorës/ Pacolli kërcënon me arbitrazh, Valon Ademi

Aeroporti i Vlorës është përfshirë sërish në vorbullën e një skandali, ku dy aksionerët, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi janë zhytur në një konflikt mes tyre.

Dy biznesmenët, që fillimisht ishin ortakë në projekt, nisën përplasjet pasi u prish bashkëpunimi i tyre gjatë vitit 2025 dhe tensionet u përshkallëzuan me akuza të ndërsjella për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe tentativa për të marrë kontrollin e aeroportit.

Thelbi i konfliktit lidhet me pretendimet për pronësinë reale të aksioneve, zyrtarisht kompania e Ademit kishte vetëm 2%, por ai pretendon se ekzistonte marrëveshje që të zotëronte 49% të projektit pas largimit të ortakëve turq.

Nga ana tjetër, Pacolli dhe kompania e tij Mabco me 98%, pretendojnë se janë pronarët legjitimë të shumicës së aksioneve dhe akuzojnë Ademin për tentativa të paligjshme për kontroll të aeroportit.

Pacolli kërcënon me arbitrazh

Në vrazhdën e këtyre zhvillimeve, pasditen e kësaj të premte, kompania zvicieriane, MABCO Constructions SA, me pronar Behgjet Pacollin, paralajmëroi shtetin shqiptar se do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar për situatën e krijuar, nëse deri më 28 maj 2026 nuk ndërmerret një ndërhyrje institucionale.

Në një letër zyrtare drejtuar Edi Ramës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokaturës së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, MABCO deklaron se, megjithëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA dhe është investitori kryesor, financuesi dhe garantuesi i projektit, përfaqësuesve, inxhinierëve, specialistëve dhe nënkontraktorëve të saj u është ndaluar hyrja në aeroport që prej 18 majit 2026.

Kompania pretendon se administrimi i kontestuar i VIA-s, i mbështetur nga veprime dhe mosveprime të institucioneve shtetërore, po tenton të marrë kontrollin faktik të projektit në momentin kur aeroporti ndodhet pranë hyrjes në fazën operacionale.

MABCO thekson se, që prej shtatorit 2025, ka dërguar mbi 50 letra dhe njoftime formale institucioneve shqiptare, pa marrë, sipas saj, asnjë përgjigje substanciale.

MABCO paralajmëron se, në mungesë të zgjidhjes deri më 28 maj, do të nisë arbitrazhin ndërkombëtar sipas Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri dhe do të ndjekë të gjitha mjete juridike të parashikuara në Marrëveshjen e Koncesionit.

Valon Ademi tregon pazaret për llogari të rusëve

Pas reagimit të Pacollit i cili kërcënoi me arbitrazh, një reagim ka ardhur edhe nga aksioneri tjetër, Valon Ademi.

Ky i fundit në një reagim zyrtar ka ngritur akuza të forta ndaj Pacollit. Ai thotë se në shkurt të vitit 2025, Pacolli i ofroi 80 milionë euro për blerjen e aksioneve të Aeroportit për llogari të rusëve, ofertë që sipas Ademit, është refuzuar nga ky i fundit.

Sipas Ademit, refuzimi i ofertës së Pacollit, është sipas tij, zanafilla e kësaj situate. Ai shton se Pacolli të gjitha veprimet po i bën vetëm për interes të Compartment Bernina-s, interesa këto që, sipas tij, bien ndesh me interesin publik.

“Unë e njoh shumë mirë strategjinë tënde, pasi e kuptoj qartë që “ujku do mjegull”. Për këtë taktikë, ti je i shkolluar dhe i trajnuar prej kohësh nga shefat e tu, ndaj dhe strategjinë e mjegullës di ta zbatosh me mjeshtëri. Megjithatë, nëse kjo qasje mund të funksionojë për të hutuar opinionin publik, me mua të ka dështuar.

Siç ta kam bërë të qartë: me ty, emisar, unë nuk kam asnjë problem sepse ti nuk je as aktor dhe as faktor në këtë mes; je thjesht një agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. Lufta ime është me kolegun tënd, Bart Turtelboom, i cili është ekzekutori i skemës financiare dhe juridike për t’ua dorëzuar këtë aset kombëtar shefave tuaj, atje ku i keni.

Ti detyrën tënde po e zbaton me përpikëri, sipas udhëzimeve. Ndaj, ti nuk ke faj që unë e refuzova ofertën tënde prej 80 milionë eurosh në shkurt të vitit 2025, për t’ia shitur aeroportin atyre që ti i di mirë. Madje, kur unë e refuzova atë ofertë pikërisht për shkak të asaj që ata përfaqësojnë, ti më the tekstualisht: “Mos u shqetëso, sepse pronar formal do të vazhdoj të figuroj Mabco.”

Refuzimi im i prerë atë natë është zanafilla e kësaj situate të cilën po e përballoj edhe sot. “Gabimi” im i vetëm ishte refuzimi për ta shitur Aeroportin e Vlorës atje ku ti kishe marrë urdhër ta dorëzoje.

Deri më sot, shumë detaje i kam mbajtur larg vëmendjes publike, duke pritur që organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre, në mos atë ligjore, të paktën atë patriotike. E kam bërë betejën time në heshtje, në respekt të institucioneve. Por, edhe pse ata që duhej të reagonin heshtën, unë nuk do të ndalem, kurrë.

Emisar, tregoj shefave të tu, se unë nuk shitem, nuk intimidohem, nuk frikësohem dhe nuk dorëzohem kurrë përballë tyre! Tregoju se paraja e tyre, për mua s’ka asnjë vlerë. Ata mund të blejnë gazetarë, media e portale, por Aeroportin e Vlorës nuk do ta blejnë kurrë.

As ti dhe as propaganda jote me mercenarë e zagarë nuk më intimidon, sepse, në të gjithë këtë proces të Aeroportit të Vlorës, i vetmi njeri i shitur, i blerë dhe i komprometuar je ti.

Dil e tregoju shqiptarëve se kush fshihet pas “Compartment Bernina”. Dil e tregoju me sa rubla u pagove. Dil e tregoju se te gjitha veprimet po i bën vetëm për interes të Compartment Bernina-s, interesa këto që bien ndesh me interesin publik, atëherë mund të marrësh guximin të përmendësh emrin tim.

Ti emisar, edhe mashtrimet i bën për të mbuluar atë se çfarë në të vërtetë je, sepse ti nuk je emisar për një mision, por ti je agjent me mision të përjetshëm, sepse ti shpirtin edhe dinjitetin e ke shitur me kohë, e tash vepron me urdhra nga atje ku je shitur!

Turp të qoftë emri Behgjet e mbiemri Pacolli!”,- thuhet në reagimin e Ademit.

Poll