POLITIKË /

“Krim mjedisor në zemër të Thethit”, Rama: Të merren masa ndaj prokurores që nuk nisi hetimet

Rama tha se rastin e prokurores që nuk ka nisur hetimet ndaj "masakrës mjedisore" të kryer në Theth duhet ta ndjekin ministria e Drejtësisë dhe KLP.

Shkruar nga Versus

“Krim mjedisor në zemër të Thethit”, Rama: Të

Pas takimit në Vlorë ku inspektoi hapësirat publike të zaptuara nga bizneset private të cilave u bëri thirrje për lirim sa më të shpejtë të këtyre ambienteve, kryeministri Edi Rama e ka drejtuar vëmendjen diku tjetër.

Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama e nis me një foto nga ku duket Thethi si është tani dhe si ka qenë, ku tregohet se mu në qendër të zonës janë bërë disa ndërtime të cilat sipas Ramës kanë “plagosur” zonën e mbrojtur. Gjatë fjalës së tij u fokusua në vendimin e prokurores Elsa Gjeli për të mos nisur hetimet për çështjen.

“Ky është Thethi pas një masakre të mirëfilltë të realizuar nga një individ që rezulton i paarritshëm nga krahu i ligjit. Thethi që është një kartolinë e mrekullisë shqiptare dhe është katandisur mu në zemër të tij në një territory toke të xanun. Si ka mundësi? Si është e mundur pasi Inspektoriati përkatës dhe policia konstatojnë një ndërhyrje brutale mu në zemër të asaj mrekullie të maleve shqiptare dhe e përcjellin rastin në prokurori, prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëhershëm personin, por shpall mosfillimin e çështjes. Duke qenë se kërkova të kuptoj më shumë, u ndesha me një vendim të një prokuroreje, zonja Gjeli, që më la pa fjalë. E ndava vendimin me disa të tjerë për të kuptuar se çfarë nuk arrija të kuptoja unë, por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë”- shprehet Rama.

Duke e konsideruar një tradhëti ndaj qytetarëve shqiptarë, Rama tha se i ka kërkuar ministrisë së Drejtësisë të marrë masa për këtë rast, ndërsa bëri thirrje që KLP të veprojë ndaj dëmit të madh që kjo prokurore ka sjellë duke mos nisur hetimin e çështjes penale.

“Është e pabesueshme deri në kufijtë e të llahtarshmes që një prokurore e Shqipërisë përpara trajtimit të një krimi mjedisor të pronës publike, të një zone ligjërisht të mbrojtur nga ligji, specifik të persijatet në një jerm si ai që ju lexova që është vetëm pjesëz e një përroi psikik të pashtershëm të vendimit të mosfillimit të çështjes penale. Ai komunitet banorësh e turistësh ndihet i përdhunuar nga një individ që mu në mes të Thethit ka ngritur fshatin e tij të vogël turistik pa leje. Për zonjën Gjeli kjo nuk përbën vepër penale. Zonja Gjeli është vetëm një kulminacion i një zinxhiri jo të shkurtër hallkash të përbëra ndaj vendimeve skandaloze.

Po ju jap një tjetër fakt sesi na është bërë e pamundur të zhvillojmë projektin e Vlora Sport tek pylli i sodës në një truall shtetëror sepse një prokuror tjetër ka vënë nën sekuestro për falsifikim dhe mirë ka bërë, por sekuestro zgjat për vite e vite të tëra. I kam kërkuar ministrisë së Drejtësisë të veprojë menjëherë ndaj zonjës Gjeli e cila ka lënë në baltë të gjitha ato struktura që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit dhe është e padenjë për të qenë e paguar nga taksapaguesit shqiptarë si prokurore dhe kamë kërkuar që çështja e saj t’i përcillet KLP-së që duhet të shikojë dëmin e madh që i ka sjellë mosfillimi i çështjes penale Republikës së Shqipërisë”- shtoi më tej kryeministri. Versus.al

Ai tha se do të ketë edhe raste të tjera të ngjashme për të cilat do të merren masa ndaj prokurorëve që nuk kanë vepruar në zbatim të ligjit dhe interesit publik të qytetarëve shqiptarë. Versus.al

Poll