Deputeti i PS, Blendi Klosi foli për zgjedhjet e pezulluara të bashkisë së Tiranës. Ai tha se 9 nëntori tashmë është datë e djegur, por pavarësisht kësaj, PS po përgatitet sikur zgjedhjet të ishin nesër.
Sipas tij, më shumë mundësi ka që zgjedhjet të mbahen në mesin e muajit dhjetor.
“Ne po përgatitemi sikur zgjedhjet të jenë nesër. Nuk është se ne frigohemi nga data, sa më shpejt ajo datë të jetë, aq më mirë do ishte për qytetarët. Kurse për ne si forcë politike do të presim vendimin e Kushtetueses dhe pastaj datën e re të Presidentit, por ashtu siç llogaritë duken i bie që mesi i dhjetorit të jetë data e mundshme për garën e Tiranës”, zbuloi Klosi në “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata, në A2 CNN.
Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj që i hapi rrugën garës për kryeqytetin, por Klosi tha se PS vijon fushatën në terren për të kuptuar nevojat e qytetarëve. Versus.al







