
Tiranë- Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha, i pandehur për korrupsion pasiv në dosjen “Partizani” dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, kanë dorëzuar në SPAK prapësime sa i takon dosjes hetimore prej 500 faqesh ku renditeshin akuzat ndaj tyre sa i takon privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Mbrojtja ligjore e Malltezit, ka bërë 250 faqe prapësime duke pretenduar se nuk ka vepër penale të kryer prej tij. Ndërsa sa i takon pasurive, avokatët prerendojnë se janë të gjitha të ngritura me burime të ligjshme.
Po edhe ashtu, edhe biznesmeni Fatmir Bektashi ka bërë prapësime me një material prej 15 faqesh ku avokatët mbrojtës të tij kundërshtojnë disa pika të hetimit.
Më 27 shtator, SPAK mbylli hetimet për dosjen “Partizani” duke konfirmuar marrjen si të pandehur të pesë personave, konkretisht:
Sali Berisha ish kryeministri – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'
Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashegimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' akuzohet për 'Pastrim Parash'
Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k - Akuzohet për 'Pastrim Parash' . Versus.al







