
Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka bërë një apel të fuqishëm ndaj deputetëve, duke theksuar se vendi rrezikon të përballet me zgjedhje të parakohshme dhe bllokim të institucioneve nëse qeveria e re nuk merr votën e besimit. Ai ka bërë të ditur se nuk ka arritur të sigurojë një koalicion të gjerë, pasi asnjëra nga partitë e ftuara nuk kanë pranuar të hyjnë në bashkëqeverisje.
“Asnjëra nga partitë parlamentare nuk pranoi të hyjë në koalicion, megjithëse qytetarët kanë vendosur për këtë mundësi. Po të pranoheshin ofertat tona, sot do të kishim një qeveri funksionale me numrat e nevojshëm për të përballuar edhe sfidën me Presidentin”, tha Kurti në prezantimin e tij.
Ai shtoi se votimi i sotëm nuk është thjesht formalitet politik, por një përgjegjësi shtetërore: “Pa qeveri, Republika mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, pa institucione funksionale dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të ndikonte në pagat e shërbyesve publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimin me barna dhe funksionimin e organeve të sigurisë.”
Kurti theksoi edhe pasojat e mungesës së qeverisë për agjencitë shtetërore: “Janë 33 agjenci që mbeten pa mbikëqyrje. Pa qeveri, është një humbje për zhvillimin, qytetarin dhe shtetin. Sot nuk jemi këtu për të ndarë pushtet, por për të siguruar funksionimin e vendit.”
Ai u ka kërkuar deputetëve që të votojnë jo për interesa partiake, por për interes publik dhe shtetëror.
Në rast se merr besimin e Kuvendit, Kurti ka prezantuar pesë vendimet kryesore të qeverisë së re:
- Miratimi i projektligjit të buxhetit për vitin 2026.
- Vendosja e pensionit minimal në 150 euro, që prek rreth 200 mijë pensionistë.
- Rritja e shtesave për fëmijët me 50 për qind.
- Rritja e pagës minimale në 500 euro.
- Ndryshimi i ligjit për të hequr kufizimin e punësimit në sektorin privat për veteranët.
Kurti gjithashtu kujtoi arritjet e qeverisë së kaluar: “Katër vitet e fundit kemi arritur rritjen ekonomike më të lartë në rajon, kemi menaxhuar sfidën e inflacionit, kemi rritur punësimin dhe të ardhurat e familjeve. Kemi liberalizuar vizat në zonat Shengen dhe kemi përmirësuar imazhin e vendit.”
Ai përfundoi me një apel për bashkëpunim: “Është në dorën tuaj të mundësoni qeverisje të mirë. Institucionet tona bazohen në vullnetin qytetar dhe ky standard duhet të ruhet. Roli i Kuvendit duhet të forcohet në mbikëqyrjen e qeverisë.”
