Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë në rrjetet sociale pamje dhe informacion rreth takimit një-orësh që zhvilloi këtë të hënë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë.
Sipas Kurtit, gjatë takimit u diskutua për marrëveshjet bilaterale, mundësitë për zgjerimin e tyre, si dhe sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar. Ai theksoi se bashkëpunimi ndërqeveritar dhe ndërshtetëror do të shërbejë për mirëqenien e qytetarëve në të dy vendet dhe do të forcojë lidhjet e kombit shqiptar në rajon.
Kurti publikoi gjithashtu pamje nga ceremonia e pritjes zyrtare të Ramës, duke treguar atmosferën institucionale dhe miqësore të vizitës.
"Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.
Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë", shkruan kryeministri Kurti në postim.

