
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato ka deklaruar se synimi i BE është të mbështesë drejtësinë dhe sistemin gjyqësor duke forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në një takim që pati me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, Gonzato theksoi edhe njëherë rolin e drejtësisë në reformat e ndërmarra për përmirësimin e institucioneve.
“Sot zhvilluam një takim të mirë me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, mbi sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Në qendër të diskutimit ishte nevoja për të mbështetur sistemin e drejtësisë për të rritur efikasitetin, për të përmirësuar aksesin e qytetarëve shqiptarë në drejtësi dhe për të forcuar garancitë procedurale.
Diskutuam gjithashtu se si Bashkimi Evropian mund ta mbështesë sistemin gjyqësor në arritjen e këtyre objektivave, duke forcuar njëkohësisht luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ministria e Drejtësisë luan një rol qendror për të siguruar që reformat të përkthehen në përmirësime konkrete për qytetarët dhe institucionet e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim këto përpjekje përmes projekteve të dedikuara dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e drejtësisë,”- u shpreh Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato. Versus.al

