
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot fjalën e tij në konferencën e 100 vjetorit të krijimit të Bankës së Shqipërisë. Rama tha se përballë sfidave të kohës, duhet që Banka të integrojë mekanizma të rinj kontrolli për menaxhimin e algoritmeve.
“Përveç sfidës së menaxhimit të parave, kemi përballë algoritmet që nuk e menaxhojnë dot veten. Krahas politikës monetare duhen mekanizma të rinj kontrolli në funksion të menaxhimit të algoritmeve, por duhet dhe një mendje shumë më e hapur për t’I përqafuar këto fakte të reja të imponuara nga zhvillimet të cilat ne nuk i kontrollojmë dot, por duhet të bëjmë çmos që të mos na kontrollojnë”- u shpreh Rama.
Pavarësisht se është institucion i konsoliduar prej 100 vitesh, Rama tha se koha në të cilën jetojmë është sfidë e madhe për Bankën e Shqipërisë dhe institucionet e tjera të vjetra që i kanë mbijetuar kohës.
“Është shumë sfiduese ajo që ndodh sot në botën e qarkullimit të parasë. Natyrisht që për bankën qendrore që janë institucione të vendosura thellë në histori dhe traditë dhe kanë hije të rëndë sepse vijnë si institucione të rritura dhe të konsoliduara me vetëdijen që duhet të ruajnë stabilitetin, kjo kohë është një sfidë e jashtëzakonshme”- shtoi kryeministri. Versus.al

