Kreu i qeverisë Edi Rama mbajti fjalën e tij në konferencën e 6-të ndërqeveritare me BE-në në kuadër të hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësim. Teksa tha se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveçse BE-së, Rama nuk ngurroi të bënte edhe batuta duke e cilësuar Bashkimin Europian si një ‘perandori” me të cilën Shqipëria dëshiron të ‘martohet me dëshirë”.
“Presim me padurim të çelim grupkapitullin e fundit në mbyllje të këtij viti. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një shpërblimi njëherë e përgjithmonë, e dimë që ka sfida dhe duhen bërë shumë përpjekje. Por edhe e dimë se nuk ka asnjë rrugë tjetër. Më së fundmi, kjo është hera e parë në histori për ne që zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi. Jemi martuar me detyrim me perandoritë e tjera herët e shkuara. Kjo është një perandori, pjesë e së cilës duam të jemi. Perandori sigurie ku më së fundmi qytetarët tanë do sigurohen që liritë dhe të drejtat e tyre nuk do merren nga askush që vjen më pas”- u shpreh kreu i qeverisë.
Në vijim të batutave, Rama tha se barometri tregonte se populli i Danimarkës e mbështet fort anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe tha me batutë që me “vikingët” në krahun tonë, nuk do guxojë njeri të bllokojë rrugën e anëtarësimit.
“Ministrja këtu ka një ditë të gjatë para saj për të vijuar me detyrimet e presidencës. Dua të them diçka për të cilën na erdhi vërtet shumë mirë kur pamë barometrin që përmendi Marta dhe kur kuptuam që populli danez është mes mbështetësve më të mëdhenj. Të kesh nga ana jonë vikingët është diçka që na jep më shumë siguri dhe duhet ta hapim këtë në gjithë Europën që askush të mos guxojë të na presë rrugën. Sepse mes nesh dhe vikingëve është një bashkim i frikshëm forcash”- shtoi Rama. Versus.al







