Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, ka bërë një deklaratë befasuese lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, vetëm gjashtë ditë para zhvillimit të procesit të votimit.
Në një intervistë për emisionin "Dekalog" me gazetarin Roland Qafoku, Xhaferaj ka pranuar hapur se rezultati i zgjedhjeve tashmë është i qartë dhe ka parashikuar fitoren e Partisë Socialiste.
Sipas tij, struktura dhe mënyra e vendimmarrjes në Partinë Demokratike nuk janë të afta të sigurojnë rotacionin e nevojshëm politik, duke i dhënë kështu mundësinë fituese Partisë Socialiste.
“Unë kritikën e bazoj në argument ndaj them se zgjedhjet në demokraci i karakterizon pasiguria që fituesi nuk dihet. Ndryshe nga këto zgjedhje ku rezultati dihet, dhe prandaj janë zgjedhjet më të shëmtuara që kam parë ndonjëherë.
Fatkeqësi të thuhet se e djathta për mënyrën sesi u konceptua, për vendimarrjen që pati në këto 3 vite dhe për shumë elelmentë që ne mund t’i diskutojmë është projektuar në mënyrë të atillë që nuk e siguron dot rotacionin aq të domosdoshëm për Shqipërinë.
Nuk kam dëshirë ta pranoj por këto zgjedhje i fiton Partia Socialiste”, u shpreh deputeti Ferdinand Xhaferaj./Versus.al








