POLITIKË /

Berisha sulmon Ramën për djegien e pallateve tek "Arlis": “Monolog mashtrimi e propagande”

Kreu i PD akuzon kryeministrin për deformim të realitetit, keqinterpretim të shifrave ekonomike dhe mbrojtje të ndërtuesve. lideri demokrat u bën thirrje qytetarëve të vazhdojnë atë që e quan “kryengritje paqësore”, duke e konsideruar largimin e Ramës nga pushteti si një mision të domosdoshëm për vendin

Shkruar nga Versus

Berisha sulmon Ramën për djegien e pallateve tek "Arlis":

Përplasja politike mes Sali Berisha dhe Edi Rama vijon të ashpërsohet, teksa kryedemokrati ka reaguar ashpër ndaj fjalës së fundit publike të kryeministrit, duke e cilësuar atë si një “monolog mashtrimi” të mbushur me propagandë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e akuzon Ramën se përpiqet të paraqesë një realitet të deformuar, ndërsa mburret me vizitat jashtë vendit. Sipas tij, imazhi i kryeministrit jashtë Shqipërisë është i njollosur nga akuzat për korrupsion, ndërsa pretendon se mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar gjerësisht protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e tij.

Kreu i Partisë Demokratike ndalet edhe te deklaratat ekonomike të Ramës, duke i cilësuar si dëshmi të “padijes së plotë”. Ai ironizon krahasimet mbi buxhetin dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto, duke theksuar se, sipas tij, ato nxjerrin në pah një barrë më të ulët fiskale gjatë qeverisjes së mëparshme.

Një tjetër pikë e fortë kritike lidhet me ngjarjen e fundit të një pallati të përfshirë nga flakët. Berisha akuzon Ramën se po mbron ndërtuesin, duke folur në rolin e avokatit të tij. Sipas tij, qëndrimet e kryeministrit janë kontradiktore: nga njëra anë mohon përgjegjësinë për zjarrin, ndërsa nga ana tjetër i ngarkon të njëjtit ndërtues rindërtimin e objektit.

Në fjalën e tij, Berisha prek edhe çështjen e zhvillimit të veriut, duke akuzuar Ramën për diskriminim të kësaj zone gjatë viteve të qeverisjes. Ai pretendon se investimet kanë qenë minimale dhe shpesh të motivuara politikisht, duke përmendur edhe ndërhyrjet në zona turistike si Thethi.

Në përfundim, lideri demokrat u bën thirrje qytetarëve të vazhdojnë atë që e quan “kryengritje paqësore”, duke e konsideruar largimin e Ramës nga pushteti si një mision të domosdoshëm për vendin.

 

 

 

 

 

Poll