POLITIKË /

Berisha shpërthen ndaj AKSHI-t: “Tradhti e lartë kombëtare, të dhënat iu servirën armiqve të NATO-s”

Kreu i PD akuzon qeverinë për kapje totale të sigurisë kibernetike dhe lidhje të rrezikshme me njerëz të afërt të Ramës: “Ngjarje që nuk janë regjistruar në historinë e Europës”.

Shkruar nga Versus

Berisha shpërthen ndaj AKSHI-t: “Tradhti e lartë kombëtare,

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është rikthyer me tone tejet të ashpra akuzave ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke deklaruar se kjo strukturë ka nxjerrë të dhëna konfidenciale shtetërore dhe ua ka servirur ato shteteve armike të NATO-s.

Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se ajo që ka ndodhur me AKSHI-n tejkalon çdo skandal të njohur institucional dhe sipas tij, duhet të cilësohet tradhti e lartë kombëtare.

“Ngjarjet e AKSHI-t nuk janë të regjistruara në historinë e Europës. Ndërmarrje shtetërore që merr peng për tendera, kjo tejkalon çdo lloj… merr peng se tenderat duhet t’i fitojë baxhanaku. Ndërmarrje shtetërore ku tenderat i dikton Linda e Surrelit me Lindën e AKSHI-t. Ndërmarrje ku qindra milionë vidhen me zero investim. Me zero blerje. Me zero shitje. Zero import dhe transferim i të gjitha shumave në llogarinë… Ndërmarrje shtetërore që të gjitha të dhënat i eksporton në akt kriminal tek armiqtë e Shqipërisë, armiqtë e NATO-s. Duke vendosur në pozitat më kyçe njerëz të tyre.”

Berisha theksoi se në këtë situatë nuk funksionon asnjë mekanizëm i sigurisë kombëtare, ndërsa përgjegjësia, sipas tij, është e drejtpërdrejtë dhe penale.

“Këtu nuk ekziston asnjë mekanizëm i sigurisë kombëtare. Por kjo e AKSHI-t ngjitet në nivelin e tradhtisë së lartë kombëtare.”


Ai u ndal edhe te emërimet në sektorin e sigurisë kibernetike, duke pretenduar se personi përgjegjës është emëruar nga Ergys Agasi, një figurë e afërt me kryeministrin Edi Rama.

“Personi i caktuar në sigurinë kibernetike të ministrisë është person me lidhje jashtëzakonisht të dyshimta. Dhe i emëruar nga Ergys Agasin, njeriu që shoqëronte Ramën në Davos. Njeriu që festonte dhe stërfestonte me Ramën sa në vilën e Gjushit, aq edhe në vilën e tij.”

Sipas Berishës, këto fakte tashmë janë bërë publike dhe janë dëshmuar nga persona që, sipas tij, kanë qenë të “marrë peng” nga sistemi.

“Dhe këto tani janë publike. Fatmirësisht këto janë të njohura, sepse dëshmitarët e marrë peng i kanë dëshmuar këto.”
Në përfundim, kreu i PD-së u shpreh optimist për të ardhmen e opozitës dhe bëri thirrje për mobilizim të plotë kundër qeverisë.

“Pra, gjithçka është në favor të opozitës. Gjithçka është premtuese për opozitën. Opozita duhet të ngrihet e betuar që do ta largojë nga pushteti. Dhe unë kam besim se këtë mision do ta përmbushim me sukses.” - tha Berisha

 

Poll