
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi me tone të ashpra politike ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë Belinda Ballukun, duke e cilësuar këtë vendim si goditjen më të rëndë ndaj luftës kundër korrupsionit në Shqipëri dhe në Europë.
Sipas Berishës, vendimi i Kushtetueses nuk është një akt drejtësie, por një autorizim i hapur për korrupsion shtetëror, që i jep kryeministrit Edi Rama atë që ai e quajti “licencën e vjedhjes publike”. Kryedemokrati deklaroi se me këtë vendim, Rama dëshmoi se kontrollon drejtpërdrejt sistemin e drejtësisë dhe se është i aftë t’u diktojë gjyqtarëve çdo vendim që i shërben interesave të tij politike.
Berisha akuzoi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për mungesë dinjiteti dhe integriteti, duke theksuar se heqja e masës së sigurisë dhe rikthimi i Ballukut në detyrë krijon kushtet ideale për prishjen e provave dhe zhdukjen e dokumenteve që lidhen me aferat e dyshuara korruptive.
Në një deklaratë të mbushur me akuza të drejtpërdrejta, Berisha e cilësoi Ballukun si “Lubia” e Ramës, duke pretenduar se rikthimi i saj në krye të detyrës lidhet me ndarjen e përfitimeve nga projekti i tunelit të Llogarasë. Sipas tij, vendimi i Kushtetueses është një akt politik për të mbrojtur interesat financiare të qeverisë dhe jo një akt i pavarur gjyqësor.
Kryetari i PD shkoi edhe më tej, duke deklaruar se pas këtij vendimi, çdo iluzion se lufta kundër korrupsionit mund të vijë nga një sistem drejtësie i kapur “deri në palcë” nga Edi Rama është i rremë dhe qesharak./VERSUS

