
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit që zhvilloi në Elbasan me të rinj për programin e Start Up-eve, u shpreh se "burrat shqiptarë janë humbësa të këqinj". Deklarata e tij duket se ishte edhe një ironi për kreun e PD, Sali Berisha i cili proteston sot përballë kryeministrisë.
Rama tha se shqiptarët kur humbasin një garë, gjithmonë përpiqen të gjejnë një justifikim duke pretenduar se u është bërë hile.
“Ndodh shpesh për shkak se përgjithësisht ne dhe sidomos burrat shqiptarë, të jemi humbës shumë të këqij. Humbësi i keq është ai që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin se i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë i ka marrë atë që u takonte, se këtu nuk u jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para dhe se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi, etj, çka është edhe rruga për të vazhduar të jesh humbës. Ndërkohë që humbësit e mirë janë ata që i kthehen vetes dhe nuk rrinë të gjejnë arsye pas arsyesh duke fantazuar, ose nuk justifikohen me faktin që vërtetë në një rast mund të ketë ndodhur që të kenë humbur padrejtësisht, por motivojnë njëri-tjetrin si skuadër për të bërë gjënë e duhur dhe për të fituar ndeshjen e ardhshme. Kjo botë është e ëndërrimtarëve që guxojnë”, tha mes të tjerash Rama. Versus.al

