Kuvendi i Shqipërisë ju ka mbajtur një pjesë të pagës së tyre deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët më datë 30 shtator 2024 shkaktuan akte dhune në parlament, duke dëmtuar karrige, pajisje dhe sisteme të ndryshme elektronike.
Pasi Flamur Noka, Gazment Bardhi, Elda Hoti dhe Bledjon Nallbati refuzuan ta paguajnë vullnetarisht dëmin e shkaktuar, sikurse u njoftua më herët nga Kuvendi i Shqipërisë, shuma ka filluar t’ju mbahet në pagat e muajve nëntor dhe dhjetor.
Sipas faturës të firmosur nga Sekretari I Përgjithshëm i institucionit, dëmet e shkaktuara janë në shumën 764 mijë lekëve të reja.
Krahas djegies së karrigeve, Versus.al mëson se katër deputetët demokratë do të paguajnë edhe për dëmet e tjera materiale si më poshtë:
Gazment Bardhi do të paguajë 209 mijë lekë, ndërsa në dhjetor i janë mbajtur nga paga 104 mijë e 588 lekë.
Flamur Nokës dhe Bledion Nallbati nga 187 mijë lekë. Dy demokratët kanë paguar muajin e kaluar nga 93 mijë e 728 lekë.
Fatura për Elda Hotin ishte 180 mijë lekë. Në dhjetor Hotit i janë mbajtur nga paga 90 mijë e 419 lekë.
Në dokument specifikohet edhe lloji i dëmit të shkaktuar, ku Bardhi për stemën e dëmtuar të Kuvendit, karriget dhe tapetin e djegur, si dhe tre të tjerët për karriget dhe tapetin.








