
Shqipëria kaloi të martën (26.05) një tjetër fazë kyçe në rrugën drejt Bashkimit Europian. Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së konfirmoi përmbushjen e objektivave të ndërmjetme për grupkapitullin "Themeloret”, që përfshin drejtësinë, të drejtat themelore, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Por krahas vlerësimeve për progresin në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, Bashkimi Europian dha mesazhin e qartë se faza më e vështirë nis tani, ajo e zbatimit të reformave.
Në konferencën në Bruksel, komisionerja europiane për zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi reformën në drejtësi si një nga elementët kryesorë të progresit në negociata. Ajo vlerësoi procesin e vettingut dhe ngritjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. "Kemi parë vettingun e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kemi parë ngritjen e SPAK, që është institucion flamurtar antikorrupsion që ka vërtetuar që mund të japë rezultate dhe që mund të bëhet institucioni më i besueshëm në Shqipëri” - u shpreh Kos.
Komisionerja europiane theksoi se përmbushja e objektivave të ndërmjetme nuk përbën fundin e procesit, por hyrjen në një fazë ku kërkohen rezultate konkrete dhe të qëndrueshme."Në momentin që plotësohen kushtet, ky është momenti për të intensifikuar punën. Pritet progres i mëtejshëm” - tha komisionerja. Më shumë se 95% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin tuaj në BE. Kemi rrugë të gjatë përpara, por do të vijë shumë shpejt” – shtoi Kos.
"Fillimi i fundit” për negociatat
Kryeministri Edi Rama e cilësoi Konferencën e 8-të Ndërqeveritare si një tjetër "gur kilometrik” në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në konferencën e përbashkët me komisioneren europiane Marta Kos dhe përfaqësuesen e presidencës së Këshillit të BE-së, Marilena Raouna, Rama tha se Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë kapitujt negociues brenda 11 muajve, një ritëm që ai e quajti rekord."Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE-në, dashuri e pashtershme, pa kushte. Kështu që ndihemi të energjizuar, të inkurajuar, por gjithashtu edhe me më shumë përgjegjësi, sepse e dimë që nuk është fundi, është vetëm fillimi i fundit” - u shpreh kryeministri.
Rama shtoi se progresi në negociata lidhet drejtpërdrejt me transformimin e institucioneve dhe sistemit të drejtësisë në vend."Sot morëm konfirmimin e institucioneve shumë më të forta sesa një vit më parë. Një sistem drejtësie i fuqizuar dhe i pavarur si kurrë më parë në historinë e vendit tonë” – tha Rama.
Ambasadorët në Tiranë: Drejtësia përcakton rrugën drejt BE-së
Nga Tirana, ambasadori gjerman, Karl Bergner përshëndeti përmbushjen e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin "Themeloret”, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE."Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave europiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e "Fundamentals” përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së” - deklaroi ambasadori Bergner, teksa shtoi se Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori holandez Reinout Vos, i cili tha se miratimi i objektivave të ndërmjetme shënon një pikënisje për fazën e ardhshme të reformave."Respekti për pavarësinë e gjyqësorit dhe përpjekjet e papenguara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, janë parakushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE” - thuhet në reagimin e ambasadorit holandez.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi i vendit kandidat në qershor 2014. BE-ja mbajti konferencën e saj të parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022. DW

