
Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku ka marrë pjesë në konferencën me ambasadorët shqiptarë në Tiranë me fokus në diplomacinë ekonomike që duhet vendosur në funksion të qëllimit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Duke iu referuar edhe deklaratës së kryeministrit Edi Rama i cili ditën e djeshme u kërkoi ambasadorëve që të jenë më të angazhuar në punën që po bëhet për anëtarësimin e vendit në BE, Balluku tha se ambasadorët duhet të jenë të fokusuar edhe në diplomacinë ekonomike. Sipas saj, duhet që të ketë nxitje të vazhdueshme nga ana e tyre për të promovuar Shqipërinë në mënyrë që të kemi më shumë investime të huaja.
“Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për ju jo vetëm si përfaqësues diplomatikë, por si promotorë ekonomikë, si vizion që shkon përtej kufijve tanë. Dëgjova me vëmendje dje kryeministrin dhe nuk e mohoj faktin se është pjesë e diskutimeve në tryeza qeveritare, diplomacia ekonomike dhe niveli i saj i cili duhet të ndryshojë. E tha dje kryeministri që nuk mund të mbetet diplomacia ekonomike si dëshirë apo vullnet individual i ndonjë ambasadori apo aftësi karakteriale. Diplomacia ekonomike duhet të vazhdojë në bazë të trupës diplomatike shqiptare si një nxitje e vazhdueshme pasi sot ju e keni mundësinë për të promovuar një produkt të jashtëzakonshëm që është Shqipëria, e energjisë së gjelbër, e ndërlidhshmërisë, e kulinarisë, e turizmit sepse kudo që shkoni e uleni ju flasin për vendin tuaj ndryshe e komplet nga çfarë ndodhte 5 vite më parë. Ju jeni me fat sepse promovoheni nga një kryeministër që sot përfaqëson një brand më vete”- u shpreh Balluku.
Mes të tjerash, ajo u kërkoi ambasadorëve që të fokusohen më së shumti në detyrat e tyre dhe të informohen rregullisht mbi ndryshimet që pëson vendi në infrastrukturë apo fusha të tjera.
“Do të propozoja sot në këtë takim që ministria e Jashtme, kolegu im Igli së bashku me të gjitha ministritë sektoriale, ta shikonin “trajnimin” tuaj në bazë semestrash për t’ju dhënë informacionin e duhur sepse ndryshimet që vendi ynë pëson janë me muaj e shpesh herë edhe me javë. Ndodhemi në një moment të rëndësishëm, kur Shqipëria është vetëm një hap larg nga ëndrra e saj e madhe, që tashmë nuk ka nevojë më të quhet ëndërr. Sepse jemi duke folur për një realitet të prekshëm dhe çdo ditë e më shumë dëgjojmë nga funksionarë të BE se është e afërt data kur vendi ynë të anëtarësohet në BE. Por që të ndodhë kjo, të gjithë duhet të angazhohemi në detyrat tona që nisin nga diplomacia deri tek shtimi i kapaciteteve të burimeve të rinovueshme”- shtoi zv.kryeministrja. Versus.al







