
Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur përmes një reagimi publik, pas akuzave të shpeshta nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në lidhje me vendimin për Belinda Ballukun.
Kushtetuesja i kërkon Berishës dhe personazheve të tjerë publik, që të jetë të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre publike.
“Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi”, shkruhet në reagimin e Kushtetueses.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta.
Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.
Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai./Versus.al

