
Kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka sulmuar së fundmi shefin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke e akuzuar se mbron interesat e kryeministrit Edi Rama në Bruksel.
Gjatë një mbledhjeje të Kryesisë, Berisha deklaroi se Gonzato po “mashtron” në institucionet europiane, duke pretenduar se ai paraqet axhendën e Partisë Demokratike si të lidhur me lëvizjen MAGA dhe jo me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
I pyetur lidhur me këto akuza, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri reagoi shkurt për Report Tv, duke u shprehur se “nuk komentojmë mbi spekulime”.
Fjala e Berishës për shefin e Delegacionit të BE-së në Tiranë:
Çfarëdo që të bëjmë ne, ambasadori i BE në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës në Bruksel. Dhe unë, duke shprehur keqardhjen time më të thellë, u bëj thirrje vendeve anëtare të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre, parlamenteve të vendeve anëtare të dërgojnë misione faktmbledhëse, sepse të shpallësh AKSHI-n problem kulturor të shqiptarëve në Bruksel, siç ka bërë zoti Gonzato, ky është shërbimi më i keq që u bën shqiptarëve dhe unë i them atij zotërie se pengmarrje nuk është kulturë e shqiptarëve. Dhe është një fyerje e rëndë që u bëhet shqiptarëve.
Ky zotëri përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD-së në procesin e integrimit. E ka bërë dhe vazhdon ta bëjë ai këtë. Tani unë do t’i them po këtu, forca jonë politike është forca që ka firmosur të gjitha marrëveshjet në procesin e integrimit, ka marrë rekomandimin e statusit të kandidatit që e ka bllokuar Edi Rama me tre ligjet, dhe përveç hapjes së negociatave, çdo marrëveshje tjetër.
Gënjeshtra e dytë e madhe e tij në komunitetin ndërkombëtar për PD-në është se axhenda jonë është MAGA. Axhenda jonë, në qoftë se kishim vendosur të ishte MAGA, ne nuk fshihnim asgjë, axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE. Kjo histori e turpshme mashtrimi filloi me një trillim të padëgjuar ndonjëherë se Donald Trump kur erdhi LaCivita ka ardhur me një cek 9 miliardë dollarë për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE dhe kjo është qarkulluar në nivelet më të larta. Turp më i madh./Versus.al

