
Në memorialin “Nëna Shqipëri” u mbajtën sot homazhet në nderim të Dëshmorëve të Atdheut. Kreu i qeverisë, Edi Rama, presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi vendosën kurorat me lule për të përkujtuar veprën e paharruar të dëshmorëve.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën më 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri më 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisën përpjekjet e para për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave.
Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.
Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez. Versus.al

