POLITIKË /

“Identitet digjital i qytetarëve”, Rama: Ne do e bëjmë një vit para BE-së, s’do ketë më pagesa ‘cash’

Shkruar nga Versus

“Identitet digjital i qytetarëve”, Rama: Ne do e

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një takim të zhvilluar tek Piramida e Tiranës ku u fol për Identitetin digjital. Rama tha se BE ka në plan të përfshijë këtë mjet identifikimi brenda 2027-ës, ndërsa tha se vendi ynë do ta realizojë një vit më para.

Sipas tij, ky identitet digjital do jetë më shumë se një mjet identifikimi pasi do të mundësojë pagesat digjitale dhe jo më pagesa “cash”. Sipas tij, ky inovacion do të transformojë jetesën e qytetarëve për mirë në raport me nevojat e tyre. 

 

"Objektivi i shpallur i BE është që në vitin 2027, qytetarët e BE do të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do jemi një vit më parë dhe e theksoj këtë jo për të afirmuar ndonjë parësi tonën, por për të rikujtuar edhe njëherë se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë dhe që i drejtohet asaj për të kapërcyer pengesa që janë edhe historike, është përgjegjësi e jashtëzakonshme që unë e quaj bekim të kësaj kohe. Përmes inteligjencës artificiale, vendet mund të imagjinojnë të kapërcejnë epoka që pëndryshe do t’i kishin të pamundura për t’u kapërcyer me shpejtësinë e progresit linear.

Prandaj ne besojmë shumë tek fuqia e inovacionit dhe prandaj i jemi përkushtuar inovacionit duke u bërë faktikisht vend lider në rajon sa u takon shërbimeve publike përmes inovacionit dhe duke krijuar një bazë solide për të imagjinuar transformime në çdo sektor. Ne tani jemi të angazhuar në një punë të përditshme për krijimin e një akseleratori shumë të fuqishëm që do të mbështesë ministren tonë. Një akselerator që do të penetrojë të gjithë sektorët dhe që do të vërë në dispozicion të qeverisë zgjidhje dhe opsione për çdo sektor ku kemi nevojë të bëjmë hapa shumë më të mëdhenj sesa sot.

Identiteti digjital është instrument i domosdoshëm për kalimin e planit tonë nga paratë cash në transaksione digjitale. Kjo do të thotë shumë më tepër siguri për konsumatorët, shumë më tepër transparencë për biznesin dhe shumë më tepër të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit dhe trukeve të ndryshme që do të reduktohen maksimalisht falë transaksioneve digjitale"- tha Rama duke nënvizuar se në fillim të 2026-ës do të nisin procedurat për identitetin digjital në çdo cep të vendit. Versus.al

Poll