POLITIKË /

Italia dhe Shqipëria do mbajnë takim të dy qeverive! Disa fusha ku do thellohet bashkëpunimi

Shkruar nga Versus
Italia dhe Shqipëria do mbajnë takim të dy qeverive! Disa fusha
Momenti kur Rama i ulet në gjunjë Melonit gjatë pritjes për samitin e Komunitetit Politik Europian

Shqipëria dhe Italia do të mbajnë për herë të parë një samit ndërqeveritar brenda këtij viti. Dakordësia për një samit të tillë, u arrit gjatë takimit bilateral që kryeministri Edi Rama pati me homologen e tij italiane Giorgia Meloni pas samitit të Komunitetit Politik Europian që u mbajt dje në Tiranë.

Meloni dhe Rama mësohet se kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët me 7 pika nëpërmjet së cilës zotohen të thellojnë më shumë bashkëpunimin e dy vendeve në fusha si zhvillimi ekonomik, infrastruktura, mbrojtja dhe siguria, energjia dhe emigracioni.

Samiti ndërqeveritar do të bëjë një bilanc të bashkëpunimit mes dy qeverive për të rënë dakord më tej për nisma të tjera në kuadër të forcimit të partneritetit strategjik.

Dy vendet pritet që të ngrenë një grup pune të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe forcimin e kapaciteteve shqiptare të patrullimit detar. Ndërsa, sa i takon fushës së shëndetësisë, në deklaratën e përbashkët parashikohet ndërtimi i një reparti neonatologjie pranë Spitalit “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Dje mënyra e pritjes së Melonit nga ana e Ramës i cili u ul në gjunjë, tërhoqi vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Pas pritjes, teksa i dha fjalën Melonit, Rama bëri edhe një tjetër batutë duke e cilësuar Shqipërinë si “protektoriat Italian”. Versus.al

Poll