Ivanka Trump ka mbërritur sërish mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorë, ku sipas burimeve ka qëndruar gjatë natës në vilat qeveritare.
Gjatë ditës së sotme, ajo pritet të udhëtojë drejt Dhërmi, ku ndodhet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas informacioneve, rreth orës 11:00 pritet një takim mes tyre në vilat qeveritare në Dhërmi, i cili do të pasohet nga një drekë e përbashkët.
Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë takim apo për mbërritjen e saj në vend.
Nga ana tjetër, Rama ka mbërritur në jug të vendit pasditen e së shtunës dhe pritet të qëndrojë në Vlorë edhe gjatë ditës së hënë, në kuadër të një agjende që përfshin takime dhe inspektime.
Kjo është një tjetër vizitë e Ivanka Trump në Shqipëri, veçanërisht në zonën e jugut, ku ajo ka shfaqur interes të vazhdueshëm.
Në janar të këtij viti, ajo publikoi pamje nga natyra e jugut shqiptar, ku deti, gjelbërimi dhe qetësia e zonës krijonin një tablo mbresëlënëse, ndërsa në sfond dëgjohej kënga “Luleborë”.
Gjatë vizitës së saj të mëparshme, Ivanka Trump qëndroi për dy ditë në Vlorë dhe më 22 janar u prit në Kryeministri nga Edi Rama.
Ata zhvilluan takime si në Tiranë, ashtu edhe në Vlorë, ku darkuan së bashku me delegacionin shoqërues.
Një tjetër takim informal u zhvillua në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ndërsa një darkë u organizua në Orikum, ku morën pjesë edhe rreth 60 arkitektë në kuadër të projektit për Ishulli i Sazanit dhe zonën e Zvërnec.
Vizitat e saj lidhen ngushtë me projektet e investimeve strategjike në këto zona.
Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, u shpall investitor strategjik vitin e kaluar pasi prezantoi një projekt turistik në ishullin e Sazanit, që përfshin një sipërfaqe prej 562 hektarësh.
Ky investim parashikohet të arrijë vlerën e 1.4 miliardë eurove dhe përfshin ndërtimin e një marine turistike, hotele dhe rezidenca luksoze, zona gastronomike si dhe hapësira rekreative të dedikuara për vizitorët./Versus.al

