
Pas një seance maratonë që zgjati rreth 7 orë në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranës, Erion Veliaj u nis drejt burgut të Durrësit ku do të vijojë të qëndrojë në paraburgim derisa dosja e tij është në dorën e GJKKO-së për të caktuar nëse do të kalojë apo jo për gjykim.
“Ju dua shumë”- u shpreh Veliaj për disa prej mbështetësve të tij që prisnin jashtë ambienteve të Kushtetueses, ndërsa më pas u nis drejt burgut të Durrësit me furgonin e policisë.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha se data dhe ora për shpalljen e vendimit do të njoftohet në vijim. Gjatë seancës, Veliaj pretendoi se shkarkimi i tij nga këshilli dhe më pas qeveria, ka qenë i paligjshëm dhe se në këtë mënyrë po rrezikohet autonomia vendore dhe demokracia. Versus.al

