“Ju kam nderuar”, kështu e përmblidhi në fund kryeministri Edi Rama praninë e tij në samitin që u mbajt ditën e djeshme në Bruksel mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian lidhur me procesin e zgjerimit.
Rama tha se Shqipëria ndodhet në kushte që nuk ka qenë ndonjëherë, ndërsa tha se do të vijohet me zbatimin e rekomandimeve të BE.
“Jemi në kushte siç nuk kemi qenë ndonjëherë, të respektuar maksimalisht, të vlerësuar maksimalisht e të mirëpritur maksimalisht në tempullin e Europës politike, në Bruksel. Qëndrimi im ka qenë ai që dini dhe mënyra sesi e kam mbajtur qëndrimin ka qenë ajo që dini, troç drejtë, pa dorashka sepse siç e kam thënë dhe ua kam thënë miqve dhe kolegëve të BE, unë them atë që mendoj se bëj pastaj atë që thonë ata, në sensin që detyrat e shtëpisë i bëjmë në mënyrë korrekte sepse e dimë se përmes atyre do jemi pjesë e BE”- tha Rama.
Ndër të tjera shtoi se ka garantuar partnerët ndërkombëtarë se Shqipëria do të vijojë me reformat dhe përpjekjet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ne fjalën tonë e themi hapur drejt në sy, si të barabartë mes të barabartësh dhe kjo na e ka rritur vlerën në këto tryeza. Kam theksuar se hapja e gjithë kapitujve është për ne një inkurajm, kam përsëritur që BE dhe KE duhet t’i qëndrojë marrëveshjes, se ju e dini si janë këta ndonjëherë u luajnë marrëveshjeve. Kam përsëritur tezën time se politikisht anëtarësimi ynë dhe i vendeve të tjera, duhet përshpejtuar. I kam garantuar se do vazhdojmë reformat modernizuese, përpjekjet kundër atyre problemeve që këta kanë dëshirë e zakon t’i përmbledhin tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe më vjen mirë t’ju them pa modesti, “ju kam nderuar””- u shpreh kryeministri. Versus.al

