
Kryetari i këshillit kombëtar të PD, Edi Paloka ka dalë në një konferencë për mediat krah Lulzim Memashit, qytetarit që publikoi në rrjetet sociale në videot ku një person në Dibër pranonte se kishte dhënë votat për PS në këmbim të parave.
Paloka tha se disa persona i kanë shkuar qytetarit në vendin e punës dhe e kanë kërcënuar vetëm sepse ka publikuar videon. Ndërsa paralajmëroi personat që e kërcënuan, Paloka e mori në mbrojtje publike Memashin, duke u shprehur se Rama nuk mund të bëjë çfarë të dojë me demokratët.
“Autori i kësaj videoje është Lulzim Memashi i cili është këtu me mua. Është anëtar i PD prej vitesh, ka qenë komisioner edhe këto zgjedhje, ai bashkë me vajzën. Është familjar në një gjendje shumë të vështirë ekonomike në fakt, ka edhe një djalë të sëmurë, bashkëshortja e ka lënë disa muaj më parë. Detyrohet sot të punojë taksi me një makinë që nuk e ka blerë dot vetë. Pas daljes së kësaj videoje, në vendin ku qëndron se punon si taksi, i kanë shkuar dy persona që e kanë kërcënuar. Fjalët kanë qenë “çfarë i ke bërë vetes me atë që ke nxjerrë.do ta shohësh çfarë do të bëjmë”. Pra nuk mjaftohen që blejnë vullnetin e shqiptarëve, nuk mjaftohen me çfarë kanë bërë për të mbajtur atë pushtet të ndyrë, por kërkojnë edhe t’u mbyllin gojën atyre që denoncojnë. Jam këtu për ta denoncuar si rast dhe për të marrë në mbrojtje publike Lulzimin, për t’i thënë kujtdo që mendon se me këtë mandatin e katërt të Ramës mund të bëjë çfarë të dojë me demokratët, e ka gabim. Rama mund të bëhet mbret, mund të blejë shumicën e shqiptarëve, por ta harrojë se mund të bëjë ç’të dojë me demokratët. U paralajmëroj se mos ta çojnë ndërmend të hakmerren ndaj atyre që nuk pranuan të shiten”- tha Paloka. Versus.al






