Kolegji Zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit të zgjedhjeve në qarkun e Dibrës, duke konfirmuar vlefshmërinë e procesit dhe tabelës përfundimtare përmbledhëse të rezultateve.
PD e argumentoi kërkesën me pretendimin se procesi zgjedhor ishte i manipuluar dhe i ndikuar në mënyrë të jashtëligjshme nga pushteti, duke kërkuar që rezultati të shpallej i pavlefshëm.
Në zgjedhjet e mbajtura më 11 maj, Partia Demokratike fitoi 3 mandate, ndërsa Partia Socialiste 4 mandate në këtë qark.
Ky është vendimi i dytë i Kolegji Zgjedhor brenda së martës që shkon kundër kërkesave të PD. Më herët gjatë ditës, Kolegji rrëzoi edhe ankesën për qarkun e Beratit, duke lënë në fuqi rezultatin ekzistues.
PD vijon të kontestojë disa prej rezultateve të zgjedhjeve të fundit, përfshirë edhe qarkun e Vlorës, për të cilin vendimi i Kolegjit Zgjedhor pritet të merret më 26 qershor. /Versus.al/







