
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatet që kanë shoqëruar organizimin e koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West në Tiranë, duke kundërshtuar kritikat për financimin e aktivitetit.
Në një deklaratë publike, Rama tha se koncerti u kthye në një shkak për ndasi dhe sulme, duke e cilësuar reagimin ndaj tij si një "furi dhune dhe marrëzie".
Sipas kryeministrit, sa herë ndërmerren iniciativa për organizimin e aktiviteteve kulturore apo artistike, përsëritet i njëjti debat, ku ngrihen pretendime se fondet duhet të përdoren për pensionistët, arsimin apo shtresat në nevojë.
Rama theksoi se, sipas tij, këto krahasime janë të gabuara dhe nuk pasqyrojnë mënyrën se si funksionon zhvillimi ekonomik.
'Mbrëmë, Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert. Shqipëria organizoi një ngjarje, që falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit, u bë në çdo cep të botës, një lajm. Në Shqipëri, këtë herë, ngjarja u bë motiv ndasie shumë e egër, ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti. Kam dëgjuar të njëjtin refren, populli s’ka bukë, varfëria është në kulm, s’duam koncerte. Kjo qasje duket sikur ha debat. Ky është keqkuptim themelor mbi mënyrën si zhvillohet një vend. Zhvillimi nuk është bukë me madhësi fikse”, tha Rama ndër të tjera./Versus.al

