Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave që ka lindur si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues 30-ditor.
Osmani theksoi se qëllimi i kërkesës është të sqarohen pasojat juridike të moszbatimit të këtij afati dhe të përcaktohet mënyra se si duhet të funksionojnë institucionet në mungesë të Kuvendit. Ajo shtoi se një qartësim i tillë është i domosdoshëm jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe për të ardhmet.
"Mosrespektimi i afateve kushtetuese dhe i aktgjykimeve të Kushtetueses duhet të ketë pasoja juridike, por këto nuk janë adresuar në vendimet e mëparshme,” deklaroi Presidentja.
Përveç kërkesës për interpretim, Osmani i ka kërkuar Gjykatës edhe një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor, në mënyrë që të shmanget bllokimi institucional dhe cenimi i rendit kushtetues.
Ajo theksoi gjithashtu se kërkesa nuk paragjykon përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit brenda afatit të mbetur, por ka për qëllim parandalimin e pasojave të pariparueshme dhe mbrojtjen e interesit publik. /Versus.al







