Pas largimit masiv të drejtorëve në Bashkinë e Vlorës, kryebashkiaku Ermal Dredha ka reaguar me një thirrje publike për përfshirjen e profesionistëve të rinj në administratën vendore.
Përmes një postimi në Facebook, Dredha njoftoi hapjen e aplikimeve për pozicione drejtuese në të gjitha nivelet, duke ftuar qytetarët që “kanë përvojën, përgjegjësinë dhe gatishmërinë për të kontribuar në zhvillimin e qytetit” të aplikojnë.
Kjo nismë vjen si pjesë e procesit të ristrukturimit të thellë në Bashkinë e Vlorës, i kërkuar drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama. Gjatë një vizite të fundit në qytet, Rama kritikoi ashpër performancën e administratës, duke përmendur mungesën e ujit të pijshëm, papastërtinë në zona urbane dhe përkeqësimin e shërbimeve publike.
Si pasojë, 21 drejtues të bashkisë paraqitën dorëheqjet e tyre, duke hapur rrugën për një fazë të re përzgjedhjeje dhe reformimi. Kryebashkiaku Dredha ka sqaruar se aplikimet do të jenë të hapura për këdo që plotëson kriteret profesionale dhe dëshiron të japë kontribut real në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.
Postimi i kryebashkiakut Dredha:
Pas dorëheqjeve të drejtorëve të drejtorive, Bashkia Vlorë ka shpallur vakancat për të gjithë ata që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për të kontribuar dhe për t'i shërbyer zhvillimit të qytetit, në të gjitha nivelet.
Në faqen zyrtare të ëeb-it do të gjeni procedurat që duhet të ndiqni, vetëm për një pjesë të pozicioneve vakante për të cilat mund të konkurroni! Duke qenë se jemi në proces të hartimit të dokumentacionit, për secilën prej drejtorive, në vijim do të informoheni për pjesën tjetër të pozicioneve të lira!
Të gjithë të interesuarit, të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, brenda afateve të përcaktuara, në çdo shpallje, për pozicionet si më poshtë:
• Drejtor në Drejtorinë e Projekteve të Huaja, Integrimit Europian dhe Diasporës
• Drejtor në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm
• Drejtor në Drejtorinë e Protokoll-Arkivës
• Kryeinspektor në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit
• Drejtor në Policinë Bashkiake
• Drejtor në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike
• Drejtor në Ndërmarrjen e Gjelbërimit
• Drejtor në Ndërmarrjen e Pastrimit
• Drejtor në Drejtorinë e Mbrojtjes Civile)
• Drejtor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve
• Drejtor në Shtëpinë e Foshnjes
• Drejtor në Teatrin “Petro Marko”.
/Versus.al







