Ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirave publike kanë qenë kryefjala e këtij sezoni veror. Menjëherë pas zgjedhjeve nisi aksioni për shembjen dhe sekuestrimin e ndërtimeve pa leje. Por ky aksion nxori në pah edhe mosfunksionimin e inspektorateve për mbrojtjen e territorit.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Edi Rama kërkoi reformim të policive bashkiake dhe inspektoriateve për mbrojtjen e territorit duke i cilësuar “vende qokash të tmerrshme”.
“Patjetër që gjithë kjo histori ndërtimesh e zhvillimesh pa leje sjell nevojë për reformim të inspektoriateve të policive. Policitë bashkiake dhe IMT-të janë disfunksionale, duhet të reformohen. Duhet të kthehen në shërbime bashkiake me standarte dhe kritere që certifikohen nga akademia e sigurisë, apo nga universiteti. Sepse janë bërë vende qokash të tmerrshme. Është e paimagjinueshme të vazhdojë kështu dhe nuk do të vazhdojë kështu”- deklaroi Rama. Versus.al







