Kreu i qeverisë, Edi Rama ka zhvilluar sot bashkëbisedimin e radhës me ndjekësit në rrjetet sociale ku u ka kthyer përgjigjie komenteve dhe pyetjeve të ndryshme.
Shumë prej komentuesve i kërkuan vazhdimisht kryeministrit që të përqendrohet më së shumti tek programi dhe të lërë etiketime të tilla si “bufi” apo “këneta”, por Rama teksa edhe iu përgjigj pyetjeve rreth ecurisë ekonomike të vendit, nuk ngurroi të ironizonte sërish Berishën dhe Lacivitan.
“Ore lëre bufin, po ju çfarë keni bërë 12 vite?”- komentoi njëri prej qytetarëve.
“Çfarë kemi bërë në 12 vite, urdhëro të ardhurat për frymë çfarë kemi bërë ne për 12 vite, ishin 3300 euro, janë 10.300 euro dhe në Shqipërinë 2030 do shkojnë në 15 mijë euro. këto që flasim ne nuk janë si program i bufit dhe latifit, por projeksione të mbështetura në analiza të ministrisë së Financave dhe ekspertëve ndërkombëtarët. Prej kohësh këtu me mua kryekëshiltlari ekonomik i kancelares gjermane dhe një profesor i nderuar. Këto janë projeksione financiare, nuk janë përralla me mbret e as me buf e latif”- u shpreh Rama.
Ndërsa komenteve të tilla ku theksohet nevoja për një politikan të ri të papërlyer dhe me energji të tjera zhvillimi, Rama iu përgjigj duke thënë se nuk ka më të ri dhe më të vjetër se ai dhe Partia Socialiste.
“Kandidati më i ri dhe më i ri dhe më i vjetër këtu jam unë. Partia më e re dhe më e vjetër është Partia Socialiste. Në listat e PS në çdo qark gjen më të rinjtë, gjen edhe ata më me eksperiencë. Kjo historia duhet një kandidat i ri pa parti mbrapa, pa struktura pa ekspertizë vetëm blab la bla, imitacione që ishte ndjesë pastë deri dje e treta e vërteta dhe që u bë barra dhe halli i madh i politikës, nuk ka nevojë fare Shqipëria. Nuk ka nevojë për këta të tretat të vërtetat që janë vetëm shëmbëlltyra që kërkojnë të hyjnë në valle dhe më pas të bëhen grabitqarë”- tha kryeministri. Versus.al








