
Partia Demokratike përjashtoi nga grupi i saj i këshilltarëve në bashkinë e Durrësit, kryetarin e grupit Dritan Burgija dhe këshilltarin Arlind Boshku. Shkak mësohet të jetë bërë mbështetja që këta të fundit i kanë dhënë lëvizjes së ish-deputetit Ervin Salianji i cili ka kërkuar reformimin e strukturave drejtuese të selisë.
Sipas vendimit zyrtar të firmosur nga Flamur Noka, përjashtimi është bërë “në mbështetje të statutit të partisë dhe rregullores së brendshme”, për “shkelje të dispozitave që lidhen me etikën dhe integritetin”. Kryetar i ri i grupit propozohet Ardian Muka.
Të përjashtuarit reaguan ashpër ndaj Nokës duke i theksuar këtij të fundit se ai nuk e përcakton dot kontributin që ata kanë dhënë në Partinë Demokratike.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka reagoi për këtë çështje duke thënë se vendimi për largimin e dy këshilltarëve është bërë sepse sipas tij, Boshku dhe Burgija kanë punuar për PS-në në zgjedhjet e 11 majit dhe kanë marrë përfitime personale.
“Lidhur me dizinformimin e mediave të qeverisë për motivin e vendimit për largimin e dy këshilltarëve nga grupi i këshilltarëve të PD të Bashkisë Durrës, sqarojmë sa vijon: Dy këshilltarët e grupit të PD në Bashkinë Durrës janë larguar nga grupi i këshilltarëve dhe strukturat e PD lokale me kërkesë të Degës së PD Durrës, cila ka depozituar këtë kërkesë kohë më parë.
Arlind Boshku është vërtetuar se ka punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, kurse Dritan Burgija ka shfrytëzuar pozicionin e këshilltarit të PD për përfitime personale nga Bashkia dhe po sipas relacionit të Degës së PD Durrës, ai ka punuar për PS. Çdo interpretim tjetër është trillium”- shkruan Noka. Versus.al

